Gecaj: Vetëvendosje, e keqja më e madhe e vendit, synon instalimin e diktaturës

E publikuar: 01/09/2016 09:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, në Ballë për Ballë të Klan Kosovës ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e keqja më e madhe që mund t’i ndodh vendit.

Ai ka deklaruar se veprimet e kësaj lëvizje janë anarkiste dhe ardhja në pushtet e saj do të instalonte diktaturën në vend, për shkak se ideologjia e tyre është revolucionare, njofton Klan Kosova.

“Në vazhdimësi Vetëvendosjen e kam quajtur anarkiste, sepse të gjitha veprimet i kanë të tilla. Edhe kur i kam quajtur veprimet e tyre si ato të Brigadave të Kuqe ka ndodhur e njëjta gjë, por ditët e fundit ata kanë treguar se janë të gatshëm për veprime të rrezikshme. Nuk është vështirë të hysh në përleshje me aktivistë të kësaj lëvizje. Mënyrat dhe metodat e tyre janë të dhunës. Kryekacaku i tyre, Dardan Molliqaj, ditë më parë tha se do t’i tërheq njerëzit zvarrë në rrugët e Prishtinës. E kemi parë atë vet në kamera duke e nxjerrë njerëzit nga vetura. Në një intervistë para disa ditësh e kam thënë që e keqja më e madhe e këtij vendi është Vetëvendosja. Në këtë vend ka shumë të këqija. Ka krim të organizuar, korrupsion e të tjera, por nëse këta njerëz e marrin pushtetin unë jam i bindur se do ta instalojnë diktaturën. Sepse ideologjia e tyre është revolucionare. Ata duhet që të rrënojnë gjithçka, që më pas të ndërtojnë në të tyren”.