Gazeta zvicerane tregon dy versionet e ngjarjes së Kumanovës

07.06.2015 16:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Gazeta zvicerane tregon dy versionet e ngjarjes së Kumanovës

Gazeta zvicerane “Neuen Zürcher Zeitung” (NZZ) shkruan se edhe një muaj pas luftimeve në Kumanovë, prapaskenat ngelin të paqarta. Kontradiktat politike dhe tensionet ndërmjet grupeve etnike e vënë vendin përpara një sprove.

Ora ishte pesë e mëngjesit kur Shaban Jashari u trazua nga gjumi. Në fillim kishte dëgjuar vetëm krisma të vetmuara, më vonë nëpër rrugë rreshën automatikët, shkruan NZZ.

Pastaj filloi gjëmimi i armëve të rënda. Kur plumbat e parë kishin goditur muret e shtëpisë, Jashari, gruaja e tij dhe nëna e shtyrë në moshë ishin kërrusur përtoke në katin përdhe. Kështu kishin qëndruar për orë të tëra, gjersa gjuajtjet përjashta vazhdonin pandalim.

Dikur pasdite kishin filluar të binin copa të mëdha sa një pjatë nga tavani i dhomës. Kur mori flakë edhe koftori me vaj dhe zjarri filloi të dalldiset, Jashari mori një vendim: Më mirë të vritem se sa të digjem për së gjalli. Në ora 18.30 ai zemërthyer e kishte lëshuar shtëpinë.

Veteranë të UÇK-së

Lagja e Trimave është një lagje në qytetin e Kumanovës në kufi me Kosovën dhe Serbinë e banuar kryesisht me shqiptarë. Çfarë ndodhi këtu në muajin maj, mbetet enigmatike edhe një muaj më pas. Dihet vetëm që në shtëpi ishte vendosur një grup prej 40 deri 70 shqiptarësh të armatosur nga Kosova dhe Shqipëria.

Bëhej fjalë për veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe simotrës së saj në Maqedoni, të cilat zyrtarisht ishin shpërbërë në 1999-tën, përkatësisht në 2001-shin. Shumë nga pjesëmarrësist thuhet të kenë qenë të inkriminuar dhe disa bile kanë luftuar në Siri. Në mëngjesin e hershëm të 9 majit u sul forca speciale maqedonase me autoblinda kundër bandës së ngujuar. Luftimet vazhduan dy ditë. Tetë nëpunës, ndër ta edhe një polic shqiptar, dhe dhjetë anëtarë të bandës u vranë. Luftëtarët e UÇK-së pastaj u varrosën me nderime në Kosovë. Si një mrekulli nuk pati viktima në popullatën civile.

Edhe Jashari pati fat. Ende pa e lëshuar shtëpinë, atë e hetoi një polic. Zjarri kishte ndaluar përkohësisht. Shabani Jashari, të afërmit e tij dhe banorët e shtëpisë fqinje u evakuuan, u dërguan në Shkup dhe u morë në pyetje. Por Jashari nuk dinte asgjë. Ai edhe tani nuk e di çfarë ka ndodhur vërtet dhe nervozohet me ata që përhapin hamendje. Më shumë se një dyzinë shtëpi në atë rrugë janë shkatërruar, muret e kateve janë bërë shoshë, çatitë janë përbirë nga zjarri.

Në oborin e një shtëpi fqinje janë grumbulluar nja 40 burra. Janë kryetarët e familjeve të lagjes. Secili merr nga njëqind franga zvicerane në dorë dhe bekimin e Zotit. Dhurimi është mbledhur në një xhami në kantonin e Cyrihut, thotë burri me kostum të kuq si vera, i cili e vëzhgon shpërndarjen. Është një shumë krejt minore në raport me shkatërrimin. Si është përpiluar lista e atyre që kanë të drejtë për këtë ndihmë? S’ka problem thotë njëri që pret. Këtu të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Po atëherë si erdhën të armatosurit në lagje pa u hetuar? Burri ngre shpatullat, të tjerët përreth heshtin.

Në Maqedoni qarkullojnë dy shpjegime për shpërthimin e dhunës në Kumanovë. I pari niset nga ajo se banda dhe porositësit e saj ishin kundërshtarë të Ali Ahmetit. Bashkimi i tij për Integrim është i përfaqësuar nga viti 2008 si partner i vogël në pushtet, të cilin e ndanë me partinë nacional-konservative të kryeministrit Nikola Gruevski, VMRO. Që të dy e mirëmbajnë një sistem të përhapur klientelist. Nga fitojnë disa, por jo të gjithë.

Ata shqiptarë në Maqedoni, të cilët nuk bëjnë pjesë në rrethin e Ahmeit veten e ndjejnë dyfish të diskriminuar: Ata nuk kanë qasje në patronatin e partisë dhe nga shumica maqedonase janë të shtyrë në një qoshe. Hidhërimi nga BDI-a në popullatën shqiptare është i madh. Është shumë e mundur që të armatosurit në Kumanovë duhej të provokonin një konflikt ndëretnik, që si pasojë nacionalisti i vakur Ahmeti do të ndërrohej nga një figurë më radikale. Mirëpo kjo do të dështonte komplet.

Një manovër për ta spostuar vëmendjen?

Teoria e dytë i mëshon asaj se Qeveria maqedonase inskenoi një sulm ‹shfajsues›. Ajo prej muajsh është nën presion nga demonstrata dhe për shkak të një afere përgjimesh. Për t’i ndalur protestat kundër Qeverisë, supozohet, duhej të ngriheshin tensionet ndërmjet grupeve etnike. Sikur kjo të ishte e vërtetë, atëherë do të duhej që bandën ta kishte organizuar dhe paguar shërbimi sekret maqedonas. Po përse kishte kaq shumë të vdekur, nëse thjesht duhej të inskenohej një konflikt me shqiptarët radikalë? Edhe pse kjo teori më shumë hap pyetje se sa u përgjigjet atyre, është më e popullarizuara te protestuesit në Shkup.

Kjo lëvizje ka ardhur duke u rritur ngadalë viteve të fundit. Ajo është formuar nga një thelb aktivistësh të rinj, të cilët u organizuan kundër dhunës policore dhe protestonin kundër projektit të rilindjes ‹Shkupi 2014›, ku qindra statuja dhe fasada antikizuese i japin qytetit një fytyrë të re. Asaj ia janë shoqëruar studentë, profesorë dhe një grup njerëzish që jetojnë nga honorare minore. Thelbi kryesor i protestuesve nuk numëron më shumë se një mijë njerëz, kryesisht të rinj.

Ajo që i bashkon ata nuk është vetëm refuzimi i sistemit partiak qeverisës i strukturuar mbi kritere etnike, i cili e përshkon të gjithë shoqërinë. Shumë prej tyre kërkonë një mënyrë të re jetese, përtej rendit patriarkal. E përbashkëta e tyre është që në këto kriza prejardhja etnike nuk luan ndonjë rol. Lëvizja nuk është interetnike, ajo është ‹mbietnike›. Kjo është karakteristike në një shoqëri, ku nga djepi deri në arkivol etnia e përbën tiparin dallues.

Opozitë e përçarë

Mbi atmosferën e ndryshimeve të javëve të para ka rënë një pëlhurë e melankolisë: masa e reflektimit në këtë Lëvizje është e madhe, por e kërcënon ta ngufasë aftësinë e saj të veprimit politik. ‹Të zemëruarit› ende lëkunden midis njëmendësisë si grup me një mënyrë jetese të ndryshme dhe një lëvizjeje sociale me instikt për pushtet. Javët dhe muajt e ardhshëm do të tregojnë nëse lëvizjes do t’i ecë të ngihet njimend. Për t’u mobilizuar vërtet asaj do t’i duhet ta kalojë kufirin e çarshisë së vjetër osmane, një lagjeje pitoreske tregtare, e cila paraqet bazën e saj.

Aleanca praktike midis lëvizjes protestuese dhe partisë opozitare socialdemokrate, LSDM, nën presidentin e saj Zoran Zaev tanimë ka pësuar krisje. Qëllimi i përbashkët, në fakt, vazhdon të jetë dorëheqja e kryeministrit Nikola Gruevski por zhgënjimi nga metodat e Zoran Zaevit është i madh. ‹Socialdemokratët thjesht dëshirojnë të vijnë te gjella – pas nëntë vjet urie. Ne dëshirojmë një reformë rrënjësore të sistemit politik dhe një kulturë tjetër politike›, sqaron njëri ndër aktivistët e rinj. Një profesoreshë, e cila është vënë në vijën e parë, por që sikurse aktivisti qëparë dëshiron të ngelet anonime, nuk i pengon vetëm botkuptimi dualist i opozitës, e cila politikën e ndanë në mike dhe armike, por edhe financimi nga jashtë i OJQ-ve. ‹Ajo që na duhet ne janë lëvizje vendore, jo projektet nxitëse për një shoqëri civile, sikurse është përcaktuar jashtë›.

Në bisedat me aktivistë, akuzat se ‹Perëndimi› po punon në një ‹revolucion me gjyra›, ngjashëm si në Ukrainë dhe Gjeorgji, duken megjithatë me vend. Ministria ruse e punëve të jashtme ka kërkuar respektimin e rendit kushtetues të Maqedonisë. Aktivistët janë shumë kritik ndaj UE-së. Që kur komisoneri për zgjerim Johannes Hahn e arriti një marrëveshje ndërmjet Qeverisë dhe opozitës, shumë protestues besojnë që Brukseli merkaun para së gjithash e ka te stabiliteti i vendit dhe jo te demokracia e shteti i së drejtës. Edhe në qarqe qeveritare nuk besojnë në një subverzion nga jashtë. Parlamentari i VMRO-së Aleksandar Nikoloski, i cili bën pjesë në rrethin e ngushtë të udhëheqjes së partisë, këtë die e sheh si një produkt të imagjinatës së gazetarëve dhe diplomatëve që dëshirojnë të duken të rëndësishëm. Orientimi perëndimor, sipas tij, është pjesë e pakëthyeshme e trashëgimisë së partisë. E vetmja arësye që e ndalon integrimin euroatlantik, është vetoja greke.

Është vërtet vetoja greke, e cila në 2008-tën e pengoi hyrjen në Nato dhe në vitet e fundit edhe fillimin e negociatave të Maqedonisë me UE-në. Greqia sheh në emrin e ish republikës jugosllave një pretendim territorial të provincës së saj me të njëjtin emër në veri. Kjo akuzë nuk qëndron. Vendi as që i ka kapacitetet për për t’u kruar në Greqinë veriore. Bllokada greke dhe pasiviteti në çështjen e zgjerimit kanë çuar deri aty sa nacionalizmi etnik në Maqedoni artikulohet në formë gjithnjë e më ekstreme.

Kjo i ka dhënë një impuls tjetër nacionalizmit shqiptar. Për shumë shqiptarë në Maqedoni vendi është thjesht një qerre e cila duhet t’i shpiejë në Unionin Europian, për të arritur kështu një farë bashkimi paqësor me Kosovën dhe Shqipërinë. Nëse negociatat e integrimit të Maqedonisë edhe më tutje ngelin të bllokuara dhe shoqërinë e ka në dorë shteti partiak klientelist – pavarësisht në janë të proveniencës nacionalkonservative, apo apo socialdemokrate – për shqiptarët radikalë po bëhen atraktive opsionet tjera.

Projekti i një ‘Shqipërie të Madhe’ nuk vjen në asnjë mënyrë nga propaganda ruse, ai është i pranishëm në pjesë të gjëra të botës shqiptare. Çfarëdo që të kishin qenë qëllimet e bandës në Kumanovë – shqiptarët e Maqedonisë janë distancuar nga ajo. Por solidariteti ndërmjet tyre po bëhet aq më i mundshëm, për sa kohë që Maqedoninë e qeveris një regjim autoritar pa mundësi që t’i ngjitet Europës, transmeton DialogPlus tekstin e “Neuen Zürcher Zeitung”.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Vendimi i Gjykatës së Lartë: Behgjet Pacolli rimerr kontrollin e aeroportit të Vlorës!

Vendimi i Gjykatës së Lartë: Behgjet Pacolli rimerr kontrollin e aeroportit të Vlorës!

2 mln € për linjat ajrore për mërgatën, Cakolli: Qershia mbi tortë e keqpërdorimit të buxhetit për fushatë

2 mln € për linjat ajrore për mërgatën, Cakolli: Qershia mbi tortë e keqpërdorimit të buxhetit për fushatë

Isufi dhe Gjini vizitojnë biznese e të rinj në Anamoravë, premtojnë mbështetje për zhvillimin rajonal

Isufi dhe Gjini vizitojnë biznese e të rinj në Anamoravë, premtojnë mbështetje për zhvillimin rajonal

Qeveria në detyrë ndan 2 milionë euro për fluturimet e mërgatës

Qeveria në detyrë ndan 2 milionë euro për fluturimet e mërgatës

Murati: Opozita fillimisht i përqeshte shtesat e tash po na kopjojnë në këtë politikë

Murati: Opozita fillimisht i përqeshte shtesat e tash po na kopjojnë në këtë politikë

Osmani për takimin me kongresistin Self: Diskutuam për bashkëpunimin me administratën Trump dhe thellimin e partneritetit

Osmani për takimin me kongresistin Self: Diskutuam për bashkëpunimin me administratën Trump dhe thellimin e partneritetit

Xhevat Bekteshi në mbështetje të Ahmet Isufit Një jetë në shërbim të Kosovës – pse duhet mbështetur

Xhevat Bekteshi në mbështetje të Ahmet Isufit Një jetë në shërbim të Kosovës – pse duhet mbështetur

100 euro për studentët, hapet aplikimi, Murati: Duhet të bëhet përmes e-Kosova

100 euro për studentët, hapet aplikimi, Murati: Duhet të bëhet përmes e-Kosova

Prezantohet sistemi elektronik i Inspektoratit të Punës, synohet rritja e sigurisë dhe transparencës në punë

Prezantohet sistemi elektronik i Inspektoratit të Punës, synohet rritja e sigurisë dhe transparencës në punë

OVL UÇK: Nga 16 deri më 31 maj, kujtohen djemtë dhe vajzat që ranë për atdheun

OVL UÇK: Nga 16 deri më 31 maj, kujtohen djemtë dhe vajzat që ranë për atdheun

Kurti viziton “FC Malisheva”, premton mbështetje për infrastrukturën sportive

Kurti viziton “FC Malisheva”, premton mbështetje për infrastrukturën sportive

Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë, ASK: Çmimet u ngritën me 4.3% brenda një viti

Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë, ASK: Çmimet u ngritën me 4.3% brenda një viti

Ministria njofton se janë ekzekutuar shtesat prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

Ministria njofton se janë ekzekutuar shtesat prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

Kurti pret në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, e falënderon për angazhimin

Kurti pret në takim drejtoreshën e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, e falënderon për angazhimin

Hamza: Fatmir Limaj do ta mbështesë Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit

Hamza: Fatmir Limaj do ta mbështesë Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit

Rama: Nesër vuloset hapja e fazës përmbyllëse të negociatave me BE-në, Shqipëria është gati

Rama: Nesër vuloset hapja e fazës përmbyllëse të negociatave me BE-në, Shqipëria është gati