Gani Geci mohon se ishte komandant i brigadës “Hasan Prishtina”

E publikuar: 17/08/2018 13:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Brigada fantome “Hasan Prishtina” për të cilën prokurori Blakaj ka shkruar në aktakuzë se ishte shpikur në vitin 2016, deputeti i AAK’së, Demaliaj tha se ishte e Gani Gecit. Por, ky i fundit për Express deklaroi se kjo gjë nuk është e vërtetë.
Gani Geci, në një bisedë me Gazetën Express tha se nuk ka qenë pjesë e brigadës “Hasan Prishtina”, për të cilën ende nuk po dihet se a ka ekzistuar në kohën e luftës së UÇK’së, apo jo.

Geci për deklaratën e Demaliajt tha se ka mundësi se ka ngatërruar emrin, sepse ai vetë nuk ka qenë pjesë e asaj brigade.

“Nuk jam unë i përfshimë në këtë. Mos e ka pas fjalën për Fadil Gecin, se unë jo”, tha Geci për Express.

Brigada “Hasan Prishtina” ishte dëgjuar për herë të parë vetëm në vitin 2016. Kështu thuhet ne aktakuzën e ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj.

Express ka tentuar të flasë për këtë çështje edhe me Fadil Gecin, por i njëjti nuk është përgjigjur në thirrjen telefonike.

I bashkakuzuar me 11 personat në rastin e veteranëve të rrejshëm, deputeti i AAK’së, Shkumbin Demaliaj i ka thënë Gazetës Express se personat që u paraqitën në Komisionin qeveritar Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit, treguan se komandant të kësaj brigade e kanë pasur Gani Gecin.

Për ekzistencën e kësaj brigade, në aktakuzë thuhet se e ka reaguar edhe Nuredin Lushtaku.

“Te pika e rendit të ditës reagon edhe Nuredin Lustaku, duke thënë se në Zonën operative të Drenicës ka dalë në pah edhe një brigadë ‘Hasan Prishtina’”, citohet transkripti në aktakuzën e publikuar nga Koha Ditore.

Të akuzuar për këtë rast nga prokurori i dorëhequr Blakaj janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari./Express/