Flaka Olimpike mbërrin në Kinë për Lojërat Dimërore të Pekinit 2022

E publikuar: 20/10/2021 14:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Flaka Olimpike për Lojërat Dimërore të Pekinit 2022 mbërriti në kryeqytetin kinez të mërkurën në mëngjes nga Athina e Greqisë.

Një ceremoni mirëseardhjeje do të organizohet në Kullën Olimpike të Pekinit pranë Stadiumit Kombëtar, i njohur edhe si “Foleja e Zogut”, ku u mbajtën ceremonitë e hapjes dhe mbylljes së Olimpiadës Verore 2008.

Flaka u ndez të hënën në një ceremoni tradicionale në Olimpian e Lashtë në Greqinë Perëndimore dhe iu dorëzua organizatorëve të “Pekin 2022” në stadiumin “Panathinaikos” në Athinë të martën.

Presidentja greke Katerina Sakellaropulu, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) Thomas Bach dhe përfaqësuesi i posaçëm dhe nënkryetari i “Pekin 2022” Yu Zaiqing ishin midis personaliteteve në ceremoninë që u mbajt pa asnjë shikues me masa të rrepta të COVID-19.

Pishtarmbajtësi i parë kinez që mori flakën nga Joanis Antoniu ishte Li Jiajun, fituesi i pesë medaljeve në patinazhin në pistë të shkurtër në Lojërat Olimpike Dimërore 1998, 2002 dhe 2006.

Rreth 2 900 sportistë, që përfaqësojnë afërsisht 85 komitete olimpike kombëtare, pritet të konkurrojnë në Lojërat Dimërore të vitit 2022.

Pekini do të sjellë besim dhe shpresë në botë duke organizuar një Olimpiadë Dimërore të përhapur gjerësisht, të sigurt e të gjelbër pavarësisht dëmeve të pandemisë së COVID-19, tha kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) Thomas Bach.

Presidenti kinez Xi Jinping ka shpallur vizionin që 300 milionë veta në Kinë të merren me sporte dimërore dhe sportistët kinezë gradualisht kanë spikatur në Lojërat Dimërore. Gjithnjë e më shumë kinezë tani janë të apasionuar pas sporteve dimërore.

Bach u shpreh se është vërtet i emocionuar me këtë entuziazëm të popullit kinez për sportet dimërore dhe se përpjekjet e Kinës për të promovuar sportet dimërore do të jenë një nga trashëgimitë më të mëdha në këto sporte.

“Angazhimi i 300 milionë kinezëve do ta ndryshojë fytyrën e sporteve dimërore në nivel global. Do të ketë sporte dimërore para dhe pas Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022, sepse do të ketë shumë, shumë më tepër njerëz që merren me sporte dimërore, praktikojnë sportet dimërore dhe ndjekin sportet dimërore. Pra, kjo është me të vërtetë një trashëgimi e madhe, sepse populli kinez tashmë po ushtron sportet dimërore, ” vuri në dukje Bach.