Filozofi i njohur francez që ka mbështetur bombardimet e NATO’s sulmohet në Beograd (Video)

E publikuar: 10/05/2017 22:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Filozofi i njohur francez, Bernard-Henri Levy, i cili kishte mbështetur bombardimet e NATO’s më 1999, është sulmuar sot në Beograd.
Levy është goditur me tortë në fytyrë nga një grua, pas prezantimit të një filmi të tij në një festival në kryeqytetin e Serbisë.

Atij i është ndërprerë fjalimi nga disa të vetëquajtur majtistë në festivalin Beldocs, pas prezantimit të filmit të tij ‘Peshmerga’.

Filozofi, njëherësh aktivist për të drejat e njeriut, është përballur edhe me thirrjet “Vrasës shporru nga Beogradi”, “Ky horr është angazhuar për bombardimin e Jugosllavisë tetë vjet para ndërhyrjes së NATO’s” dhe “Bernard Levy përkrah vrasjet imperialiste”.

Dukshëm i zemëruar, Levy ka thënë se në Serbi ende nuk ka demokraci, teksa e ka quajtur fashist sulmin ndaj tij.

“Demokracia ende nuk ka fituar në Beograd. Nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën të gjithë në këtë qytet. Rroftë Evropa dhe Serbia demokratike në Bashkimin Evropian. Jam krenar që sot para jush mbroj trashëgiminë e antifashizmit në Europë”, ka thënë Levy.