FFK nuk e shkarkon Eroll Salihun, vazhdon punën me Agim Ademin

E publikuar: 15/06/2021 16:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përkundër përqarjeve të thelluara në mes presidentit të FFK-së, Agim Ademit dhe sekretarit gjeneral, Eroll Salihut, ky i fundit nuk është shkarkuar as sot. Ishte paralajmëruar se në mbledhjen e sotme ose do të arrihet marrëveshja në mes Salihut e Ademit për mospërzierje në kompetencat e njëri-tjetrit, ose do të ndodhë ndarja e madhe.

Por, Express meson se të dy këto figura në prani të anëtarëve tjerë të kryesisë e kanë arritur një paqe e cila i mban kolegë në krye të FFK-së. Ndërsa pas takimit, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e ka lëshuar një njoftim ku nuk përmendet asgjë rreth situatës në mes Ademit dhe Salihut.

Në njoftimin e KE thuhet se në mbledhje u diskutuan për Projekt Strategjinë zhvilimore, përkrahjen klubeve, ndeshjet e Kombëtares A dhe përgatitjet për edicionin e ri.

“KE i FFK-së mbajti sot mbledhjen e vet të radhës, nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, e ku diskutoi për shumë çështje në futbollin e Kosovës. KE shqyrtoi Projekt Strategjinë zhvillimore të FFK-së, ku do të përfshihen objektivat afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit të futbollit të Kosovës në të gjitha fushat. KE diskutoi edhe për përkrahje të klubeve që kanë kaluar në rang më të lartë të garave, duke konstatuar se jo të gjitha kanë kushtet e nevojshme, ndaj FFK do t’u dalë në ndihmë që të jenë të përgatitura në përputhje me rangun e garave. KE analizoi edhe ndeshjet e Kombëtares A që pati gjatë kësaj periudhe dhe konstatoi së ishin ndeshje të mirëseardhura për konsolidimin e Kombëtares para ndeshjeve kualifikuese për Botërorin 2022. KE diskutoi edhe për përgatitjet që duhet të ndërmarrin të gjitha organet e FFK-së për edicionin e ri të garave 2021/2022 , si dhe shqyrtoi edhe ankesat dhe parashtresat drejtuar këtij organi” – thuhej në njoftim.