FDK: Pa mbikëqyrje dhe transparencë, 12 persona marrin mbi 500 mijë euro nga komuna e Prishtinës për adoptim të qenve

E publikuar: 23/06/2025 13:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve pretendon se ka zbuluar një sistem shqetësues të përdorimit të parasë publike në Komunën e Prishtinës për adoptimin dhe strehimin e qenve endacak.

Sipas FDK, vetëm 12 individë marrin çdo vit mbi gjysmë milioni euro për të strehuar mbi 850 qen.

“Në vend të një procesi të rregullt të adoptimit dhe mirëmbajtjes së standardeve për mirëqenien e kafshëve, kjo skemë është kthyer në një strehim masiv të financuar nga taksat e qytetarëve, pa kontroll efektiv institucional.”, thuhet në reagimin e FDK në faqen e tyre në Facebook.

Komuna e Prishtinës nuk posedon asnjë raport monitorimi për këta individë të subvencionuar, thuhet nga FDK.

Për më tepër, sipas tyre, komisioni për monitorimin e adoptuesve është formuar vetëm në vitin 2025, dhe atë pas kërkesës së Fondacionit për të pasur qasje në procesverbalet e vizitave.

Pas kërkesës së Fondacionit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka realizuar inspektime në disa prej këtyre qendrave të strehimit masiv, të cilat rezultuan me gjetje të rënda.

Ndër të tjera, në gjetjet e AUV’it konstatohet se higjiena është nën standarde minimale, qentë ushqehen vetëm me bukë ose mbetje të thertoreve, ka mungesë ose plotësisht mungesë e dokumentacionit shëndetësor, strehimoret janë të improvizuara në kushte mizore, përfshirë shtalla të vjetra dhe pa asnjë investim

Edhe veterineri i strehimores publike të komunës, sipas FDK’së, gjatë dy inspektimeve të ndara nga AUV, ka pranuar se nuk e di nëse procesi i adoptimit është në përputhje me udhëzimet ligjore, sepse sipas tij “për këtë vendos komisioni i brendshëm komunal”.

Në grafikun e publikuar nga Fondacioni, tregohet se vetëm një numër shumë i vogël individësh përfitojnë shumicën e fondeve për të adoptuar qindra qen, pa nuk ka asnjë mekanizëm verifikimi nëse këto fonde përdoren për mirëqenien e kafshëve apo për përfitime personale.

Fondacioni e cilëson këtë si një sistem të shtrembëruar, ku në emër të adoptimit, praktikohet strehimi masiv i qenve në kushte të mjerueshme.