Elbasan: Gratë prijnë me kërkesa për divorce

E publikuar: 07/04/2023 18:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Divorcet në Elbasan kanë ardhur në rritje. Përgjatë vitit 2022 në gjykatë u depozituan 687 kërkesë padi për zgjidhje martese, 533 prej të cilave janë shqyrtuar dhe kanë përfunduar.

Referuar shifrave, kërkesat më të larta për ndarje i kanë bërë gratë me 344, ndërsa 189 kërkesa kanë ardhur nga burrat për zgjidhje martese.

Faktorët kryesore mbeten kushtet ekonomike, dhuna dhe papunësia, por nuk janë të vetmet.

“Në lidhje me divorcet numri është rritur prej hir së vërtetës, pjesa më e madhe vijnë për shkaqe të gjendjes ekonomike. Familjet shqiptare më shumë se çdo herë tjetër tani ndjejnë atë rëndesën e financave, rëndesën ekonomike. Te gjitha këto kanë çuar që në momentin kur familjet bëhen me fëmijë dhe fillojnë dhe shpenzimet rriten, ajo ka çuar që të debatojnë e të humbin respektin reciprok ne familje dhe vijnë drejtë divorcit”, – tha avokati Demir Çiftja.

“Janë edhe faktorë të tjerë që lidhen me personat që ndodhen jashtë shtetit që lidhen me ekspulset që mund të kenë marrë në vende të ndryshme të BE-së ku ata jetojnë dhe punojnë, detyrohen që të lidhen martesa për të ndryshuar mbiemrat dhe pastaj kërkojnë zgjidhje të martesave të tyre”, shtoi ai.

Në gjykatën e Elbasanit, sipas avokatit Demir Çiftja, duhet një kohë tepër e gjatë për zgjidhjen e një martese.

“Nëse sot mua do me vijë një klient dhe do më kërkojë sa mund të zgjasë një lidhje martese, nga momenti i parë që ne fillojmë do te zgjasë 9 muaj deri në një vit”, shpjegoi ai.

Divorcet janë rritur ndjeshëm edhe te moshat e reja, martesa të cilat nuk zgjasin më shumë se dy vjet./euronews