Eksperti Vogel: Nuk ka unanimitet në BE për heqjen e masave ndaj Kosovës (VIDEO)

E publikuar: 27/06/2024 20:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analisti ndërkombëtar, Toby Vogel, ka thënë se nuk ka unanimitet në BE për heqjen e masave ndaj Kosovës.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai ka pohuar se Borrell sot do të raportojë para 27 përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së në një samit.

“Nuk mendoj se ka një shumicë në nivel ministror në Këshillin Evropian ose në Këshillin e Bashkimit Evropian ose në nivel krerësh shtetesh ose qeverish për të hequr sanksionet, masat. Thjesht nuk ka unanimitet për këtë. Do të ketë disa kryeministra që do ta kundërshtojnë këtë”.

“Dhe çështja se çfarë do të raportojë Borrell, mendoj se më e mira që mund të bëjë është të raportojë se ka një proces. Procesi ka marrë rrjedhën e tij. Është lehtësuar nga Bashkimi Evropian me një kapital të madh diplomatik, duhet thënë, me një vëmendje të madhe nga Borrell, personalisht, nga Lajçak”.

“Nuk janë gjëra të parëndësishme. E dini, ne jetojmë në një ekonomi të vëmendjes ku edhe politikëbërësit nuk mund të përqendrohen në më shumë se disa, një grusht gjërash në kohën e caktuar. Pra, kjo nuk duhet të merret si e mirëqenë, se çështja po merr këtë lloj vëmendjeje nga vetë majat e Bashkimit Evropian. Ai do të raportojë se ka një proces që ka arritur një marrëveshje një vit më parë dhe se kjo tani duhet të çohet përpara. Nuk mendoj se ka shumë më tepër që ai mundet, që do të jetë në gjendje të raportojë në këtë moment kohor”, ka pohuar Vogel. /Klankosova.tv