Drejtori i Instituteve Kombëtare të Shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara, Dr. Francis Collins, ka thënë se është optimist që një trajtim efektim kundër Covid-19 do të jetë i gatshëm pas dy apo tre muajve.
“Ka shumë përparim në terapi. I kemi dy ilaçe të dëshmuara – Remdesivir dhe Deksametazon – të dyja të dëshmuara në në testime rigozore të rastit, që është mënyra e vetme për të kuptuar nëse diçka funksionon”, tha Collins për televizionin CNN.
“Jam optimist, pa pasur mundësi të jem plotësisht i sigurt, se ne do të kemi diçka ndoshta brenda dy apo tre muajve nga tani, sa i përket një trajtimi efektiv”, shtoi ai.
Eksperti amerikan është gjithashtu optimist se deri në fund të vitit do të zbulohet një vaksinë e suksesshme. “Siç keni dëgjuar ndoshta, testimi i parë i vaksinës, në bazë të të dhënave shumë të suksesshme preliminare, do të fillojë rreth 27 korrikut në tërë jugun e vendit, ku virusi është duke u përhapur, dhe ne do të zbulojmë nëse ajo funksionon duke kërkuar nga 30,000 njerëz që të marrin pjesë”, tha ai.
Collins tha se nëse një nga testimet e vaksinës është i suksesshëm, miliona doza do të jenë të gatshme deri në fund të këtij viti.
Megjithatë, ai është i brengosur për skepticizmin e amerikanëve rreth vaksinës, duke shtuar se është e rëndësishme që të gjithë ta marrin vaksinën, kur ajo të jetë e gatshme. Sipas tij, rreth 25 për qind e amerikanëve kanë thënë se nuk janë të sigurt nëse do ta marrin atë vaksinë./Express/