Ekspertët diskutojnë rreth Nismës së Zhvillimit Global

E publikuar: 10/07/2022 14:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Organizuar nga Zyra e Informacionit të Këshillit të Shtetit, Akademia e Shkencave Shoqërore e Kinës, Qendra e Studimeve të Zhvillimit e qeverisë kineze dhe Grupi Mediatik i Kinës u mbajt forumi televiziv :Nisma për Zhvillim Global: Përgjegjësia e Medias dhe Plani i Veprimit”.

Pjesëmarrësit në këtë panel nga Kina, India, Brazili dhe Shqipëria u bashkuan virtualisht me organizatorët në Pekin për të diskutuar mbi Nismën e Zhvillimit Global (GDI) dhe rolin e medias në procesin zhvillimor botëror.
Të ftuarit në këtë forum diskutuan dhe shprehën mendimet e tyre mbi avancimin e vendeve në zhvillim dhe se si këto vende mund të bashkëpunojnë më mirë me njëri-tjetrin duke nxjerrë mësime nga praktikat e suksesshme të vërejtura deri në kohët tona.

Duke shpalosur realitetet e vendeve të tyre përkatëse në rrugën për prosperitet, pjesëmarrësit përcollën në forum idetë, pritshmëritë, oportunitetet dhe mënyrat e mundshme të bashkëpunimit në të ardhmen.
Fokusi i analizave të tyre ishte mbi aktualitetin, realitetin pandemik, ndërvarësitë ekonomike, praktikat e globalizimit etj.
Pikë qendrore e takimit ishte Nisma e Zhvillimit Global (GDI), propozuar nga presidenti kinez Xi Jinping në sesionin e 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 2021. Analistët e këtij forumi u shprehën se kjo iniciativë synon t’u bëjë thirrje vendeve që t’i kushtojnë rëndësi çështjeve të zhvillimit dhe të bashkojnë forcat për të përballuar sfidat e
ndryshme së bashku. Ideja kryesore e nismës është të lehtësojë zbatimin e Axhendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Duke iu përgjigjur shumë nevojave të palëve të ndryshme, GDI është pritur dhe mbështetur gjerësisht nga OKB-ja dhe afro 100 vende.
Pjesëmarrësit e forumit përshëndetën dhe përgëzuan Kinën për arritjet e deritanishme duke vërejtur se Kina përherë ka nxitur partneritete të barabarta, të balancuara dhe gjithëpërfshirëse. Vetëm përmes zhvillimit mund të adresohen sfidat globale, mund të mbrohen të drejtat themelore të njerëzve dhe mund të promovohet përparimi i shoqërisë njerëzore në të ardhmen, u shprehën pjesëmarrësit.
Më tej u diskutua për rolin e rëndësishëm të medias në formëzimin e perceptimit publik. Por, edhe media, si shumë kanale të tjera ndërlidhjeje, po përballet me sfida të ndryshme që sjell zhvillimi i shpejtë ekonomik dhe një situatë komplekse dhe e ndryshueshme ndërkombëtare. Tranzicioni ndërmjet mediave tradicionale dhe mediave të reja po dëshmon marrëdhënien e ngushtë ndërmjet komunikimit masiv dhe zhvillimit botëror. Në epokën e internetit, çdo person ka të drejtë të jetë dëshmitar dhe regjistrues i historisë, gjë që kërkon një angazhim më të fuqishëm për mediat. Për këtë arsye, pushteti që mendiat kanë në kohët tona mvishet me përgjegjësi të mëdha për të hedhur dritë mbi të vërtetën.

Pjesëmarrësit e forumit vunë në pah edhe realitetin botëror ku vendet në zhvillim nuk dëgjohen shumë në raportimet ndërkombëtare dhe pothuajse asnjëherë nuk merren parasysh idetë dhe aspiratat e tyre në vendimmarrjen globale.
Ndërsa flitet për dallime dhe ndarje ideologjike, vendet me ekonomi të dobët kanë nevojë për një plan për qeverisje globale gjithëpërfshirëse dhe të drejtë. Po shikojmë probleme afatgjata dhe afatshkurtra, ndoshta do të përjetojmë një recesion global. – u shprehën pjesëmarrësit.
Në një letër urimi për këtij eventi, kreu i shtetit kinez XI Jinping ,tha se Kina është e gatshme të bëjë përpjekje të përbashkëta me vendet e mbarë botës për një qasje të përqendruar te njerëzit, për të arritur përfitime të përbashkëta dhe për t’i dhënë përparësi zhvillimit në agjendën ndërkombëtare.