Ekonomistët i japin të drejtë opozitës që kritikuan projektbuxhetin për vitin 2024

E publikuar: 15/11/2023 10:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Projektbuxheti për vitin 2024 prej 3.3 miliardë eurosh u kritikua nga opozita, e cila e quajti stagnues dhe jozhvillimor.

I fundit që e cilësoi të tillë ishte kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Harandinaj. Ai përmes një postimi në Facebook e cilësoi edhe si politik edhe si diskriminues.

“Projekt-buxheti për vitin 2024 me parametrat e përcaktuar nga Qeveria nuk është buxhet zhvillimor por stagnues, si në aspektin zhvillimor dhe në aspektin social dhe standardit jetësor. Ky buxhet është politik, diskriminues dhe bartje e projekteve prej viti në vit”, kishte shkruar Haradinaj.

Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka njoftuar se të mërkurën e 15 nëntorit, në orën 14:00, në Kuvendin e Kosovës, grupi parlamentar i LDK-së do të organizojë tryezë diskutimi për projektbuxhetin e vitit 2024.

Bajrami ka njoftuar se të ftuar në tryezë janë odat ekonomike, sindikatat, shoqëria civile dhe ekspertë të ekonomisë.

“Me buxhetin e vitit 2024, kjo qeveri ka menaxhuar katër buxhete vjetore, në vlerë prej mbi 11 miliardë euro dhe nuk lanë asnjë shenjë në ekonomi. Tryeza është e hapur për të gjitha mediat dhe qytetarët që kanë interes të përcjellin këtë diskutim”, ka shkruar Bajrami.

Për këtë situatë, njohësit e ekonomisë janë pajtuar me opozitën.

Profesori në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ymer Havolli, në një prononcim për Portali Dukagjini, ka thënë se kjo është situatë normale, ku diskutimet për shpërndarjen vjetore të buxhetit të debatohen në parlament dhe organet e tjera vendimmarrëse.

“Është e pritshme që partitë parlamentare të kenë programe të ndryshme të shpenzimeve buxhetore, nga ato që janë paraqitur nga Qeveria dhe mbi këto baza zhvillohen diskutimet dhe ballafaqohen idetë e ndryshme”, ka thënë Havolli.

Ekonomisti Havolli ka thënë tutje se është mjaft e rëndësishme që projektbuxheti i prezantuar të gjejë rast për diskutim të mirëfilltë në mes të partive parlamentare.

Rëndësi sipas tij ka dhe që përkundër numrave të disponueshme në parlament, Qeveria do të duhej të ishte e vëmendshme ndaj vërejtjeve konstruktive të partive opozitare dhe brenda leximeve të akomodojë aty ku ka mundësi kërkesat e tyre.

Havolli është shprehur se kjo rritje në të hyrat e përgjithshme ishte e pritshme si rezultat i ngritjes së vazhdueshme të normës së inflacionit.

“Kjo rritje në të hyrat e përgjithshme ishte e pritur si rezultat i ngritjes së vazhdueshme të normës së inflacionit, i cili ka ndikim direkt në të hyrat buxhetore, kjo pasi që ende buxheti i Republikës së Kosovës mbushet kryesisht nga të hyrat nga importi”, është shprehur ai.