Gjatë vizitës së tij në Slloveni kryeministri Edi Rama u prit me një ceremoni ushtarake në Pallatin Presidencial në Lubjanë nga kryeministri slloven Miro Cerar.
I pyetur në lidhje me situatën në Kosovë kryeministri Rama theksoi se qeveria mbështet fuqimisht dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shprehu bindjen se njohja sa më e shpejte e Kosovës nga Serbia, do të jetë në dobi të vetë Serbisë, si dhe do të lehtësojë proceset bashkëpunuese.
Rama i cilësoi një turp për BE-në mos liberalizimin e vizave për Kosovën
Pyetje lidhur me Kosovën.
Kryeministri Rama:
Për sa i përket Kosovës, së pari dëshiroj të nënvizoj se e kam ndarë edhe me Kryeministrin slloven domosdoshmërinë që së bashku, ne të bëjmë përpjekje për të institucionalizuar marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n. Ka qenë një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm strategjik, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO dhe është po kaq e rëndësishme strategjikisht që edhe Kosova të institucionalizojë marrëdhëniet me NATO-n dhe të hyjë në një proces normal drejt integrimit të plotë në NATO, që sigurisht nuk është tema e momentit të sotëm, por duhet të jetë në axhendën e NATO-s.
Ashtu sikundër, nga ana tjetër, ne e kemi mbështetur dhe e mbështesim fuqimisht dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, përtej faktit se mbrojmë fort mendimin që sa më shpejt Serbia të njohë Kosovën, aq më shpejt vetë Serbia do të çlirohet nga një situatë psikologjikisht dhe strategjikisht e pafavorshme për të, në raport me Kosovën dhe aq më të lehta do të bëhen të gjitha proceset e tjera. Nuk është se Kosova nuk respekton marrëveshjet me Bashkimin Europian. E kundërta është e vërtetë. Të gjitha palët në Kosovë janë të përkushtuara në procesin e integrimit europian, por, sigurisht, dinamikat e brendshme dhe dinamikat e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë influencojnë për mirë dhe për keq, sipas rastit, në qëndrime të caktuara brenda për brenda politikës në Kosovë, në raport me këto marrëveshje dhe në raport me këto hapa që duhen hedhur patjetër.
Ne kemi qenë dhe mbetemi të bindur se Kosova do ta zgjidhë një orë e me parë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, si një çështje që shkon shumë përtej asaj që duket në pamjen e parë dhe që ka të bëjë pikërisht me atë që ju thatë, seriozitetin e vendit dhe përshpejtimin e procesit të afrimit të vendit me Bashkimin Europian. Ashtu sikundër dua të shpresoj shumë që kjo vështirësi nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e shpejtë të Bashkimit Europian për të liberalizuar vizat me Kosovën, pasi fakti që ka vetëm një popull, i cili nuk lëviz dot lirisht si të gjithë të tjerët në Europë, – për shkak se duhet të lëvizë me vizë në çdo vend dhe ky është populli i çliruar i Kosovës, – është një turp për Bashkimin Europian.