Dy viktima dhe 44 raste të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut

E publikuar: 31/03/2020 17:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Maqedonia e Veriut ka regjistruar edhe dy viktima nga koronavirusi duke e çuar në 9 numrin e të vdekurve nga COVID-19, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.

Viktimat e reja janë një 45 vjeçar nga Kumanova dhe një 78 vjeçar nga Dibra. Sipas njoftimit të ministrisë, viktima nga Kumanova vuante edhe nga disa sëmundje tjera kronike, si diabeti, tensioni i lartë, obeziteti ndërsa viktima nga Dibra ishte me tension të lartë dhe sëmundje tjera kronike.

Gjatë 24 orëve të kaluara është regjistruar edhe numri më i lartë me rezultatet pozitive me koronavirusin. Nga 392 teste të kryera, 44 persona kanë dalë pozitiv. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 329 ndërsa numri më i madh i tyre është në Shkup, gjithsej 175. Për Ministrinë e Shëndetësisë numri i deritanishëm i të prekurve nuk është edhe shumë shqetësues.

“Ky ka qenë qëllimi ynë që nga fillimi, me këtë ritëm sistemi ynë shëndetësor do të jetë në gjendje t’u shërbejë qytetarëve dhe të përballojë mirë situatën me koronavirusisn. Kulmi i epidemisë nuk ka ardhur ende dhe tani është e nevojshme që të gjithë të respektojnë deri në fund masat dhe rekomandimet e qeverisë”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ndërkohë, qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për të ndihmuar bizneset që po përjetojnë humbje të mëdha për shkak pasojave nga virusi korona. Të gjithë zyrtarët shtetëror dhe personat e emëruar në pozita shtetërore, do të kenë shkurtime të pagave në nivelin e pagës minimale apo në rreth 250 euro.

“Të gjithë funksionarët e emëruar dhe të zgjedhur do të marrin pagë minimale prej 14.500 denarëve gjatë muajit prill dhe maj. Këtu bëjnë pjesë presidenti, kryeministri, kryeparlamentari, deputetët, ministrat, zv. ministrat. Kjo masë nuk përfshin funksionarët shëndetësorë dhe punonjësit e administratës”, ka deklaruar kryeministri Oliver Spasovski.

Kryeministri gjithashtu theksoi se gjatë krizës së koronavirusit të gjitha bankat do të shtyjnë pagesën e kësteve të kredive për të gjithë qytetarët për 3-6 muaj dhe atë pa nënshkrimin e aneks-marrëveshjeve.

“Jemi në test si asnjëherë më parë, bota përjetoi kërcënimin më të madh që pas luftës së dytë botërore. Kemi marrë masa drastike, si kufizimi i lëvizjes. Këto masa dhanë rezultat. Kemi rritje lineare të virusit. Është e rëndësishme që të zvogëlohet përhapja e virusit, që t’i ofrojmë mundësi sistemit shëndetësor që të funksionojë si duhet”, theksoi Spasovski.

Për gjendjen me koronavirusin është thirrur edhe mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në format më të zgjeruar edhe me ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit e institucioneve të rëndësishme ekonomike. Gjendja e jashtëzakonshme në Maqedoninë e Veriut është shpallur më 16 mars.