Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,
Mallrave nga Serbia iu hoq ndalesa të hënën. Po atë ditë kryeministri njoftoi se pensionet u rritën për 20%. Lajmin e dytë qeveritarët e shpërndanë gjithandej në rrjetet sociale, por ai i pari u interesoi më shumë Gjermanisë e Francës. Ai vendim u mirëprit edhe nga Serbia.
Të hënën në mëngjes u paralajmërua se kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave Hekuran Murati do të dilnin në një konferencë për media në drekë.
Ndërkohë u raportua se ishte marrë vendimi që të hiqej masa e ndalimit të importeve të mallrave nga Serbia.
Qeveria nuk iu përgjigj zyrtarisht interesimit të mediave për këtë, por Kurtit iu desh ta konfirmonte para gazetarëve se po e lejojnë hyrjen e mallrave nga Serbia nëpërmjet pikëkalimit kryesor kufitar në Merdar.
“Republika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar, derisa të na vijnë skanerët. Në momentin që na vijnë skanerët atëherë ata vendosen në të gjitha pikat kufitare, por derisa nuk na vijnë skanerët ne do ta hapim një pikë kufitare e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë”, tha ai.
Heqjen e ndalesës e pohoi vetëm pasi u pyet për këtë. Konferenca në fakt ishte thirrur për të njoftuar për rritjen e pensioneve për 20%.
Tash, Kurti tha se “situata me inflacionin është zbutur” dhe “ekonomia e vendit po i rikthehet ritmit të rritjes aty ku e filluam pas pandemisë”.
“Prandaj, sot kam kënaqësinë t’ju jap një lajm të mirë të gjithë pensionistëve. Duke filluar nga ky muaj, pra muaji tetor 2024, do të rrisim për 20% të gjitha pensionet”, tha kryeministri.
Nga viti 2025, tha se do të rriten për 20 % edhe pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, përkatësisht, familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjeve të tyre.
“Te këto kategori, për familjet e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të të zhdukurve të UÇK-së, që kanë më shumë se një dëshmor apo të zhdukur, do të ndryshohet edhe formula e pensionit, duke e rritur për 50% të pensionit bazë për çdo dëshmor apo të zhdukur tjetër që ka familja, e jo të rritet me nga 20% apo 10% siç ka qenë deri më tani. E njëjta formulë do të përdoret edhe për familjet e viktimave dhe të zhdukurve civilë, ku për çdo viktimë apo të zhdukur tjetër që ka familja, pensioni do të rritet për 50% të pensionit bazë”, tha Kurti.
Kryeministri i Serbisë e mirëpriti këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, për të cilin tha se e largon tensionin që ka ekzistuar për një kohë të gjatë.
Millosh Vuçeviq tha për Radiotelevizionin e Serbisë (RTS) se e mbështet secilin veprim që ndikon në përmirësim të kushteve të jetesës për serbët në Kosovë.
“Është përpjekje e mirë e palës gjermane, e cila e ka vënë në pah fazën e re të marrëveshjes së CEFTA-s. Ne jemi gjithmonë gati për marrëveshje, nuk mendojmë që kompromiset janë të këqija, sidomos nëse krijojnë kushte më të mira për serbët në Kosovë”, tha ai nga Shkupi, ku qëndroi për një vizitë zyrtare.
Ndërkohë, njoftimin për rritjen e pensioneve e shpërndanë në Facebook jo vetëm Kurti e Murati, por edhe ministra e zyrtarë të tjerë qeveritarë.
“Korrupsion publik, spin i dobët për efekte elektorale, mashtrim”
Lumir Adxhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, mbrëmë në Pressing të T7 e cilësoi si spin rritjen e pensioneve për 20%, derisa e komentoi lajmin për heqjen e ndalesës për mallra me origjinë nga Serbia.
Ai iu tha qytetarëve që “t’i marrin paratë, por të mos i besojnë më kësaj qeverie”.
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami tha se ky vendim kur zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 po afrohen, është “skemë e korrupsionit publik”.
“Rritja e pagave, pensioneve dhe shpërndarja taksave të qytetarëve në çfarëdo forme, në kohë fushate elektorale, është tentativë me ble vota, është skemë e korrupsionit publik. Nëse Albini Kurti e Hekuran Murati do të brengoseshin për qytetarë, ata pensionet dhe pagat do t’i indeksonin për normën e inflacionit që në vitin 2022, por kjo nuk ndodhi sepse atëherë nuk kishte zgjedhje”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Ajo thotë se “rritja e pensioneve sot 20%, nuk është e mjaftueshme sepse vetëm norma e inflacionit që ka ndodhë gjatë qeverisë Kurti është 22%”.
Anëtari i LDK-së, Berat Rukiqi, tha se rritja e pensioneve “nuk po bëhet për ta adresuar gjendjen e rëndë të pensionistëve”, por për ta “larguar vëmendjen nga zbrapsja për çështjen e largimit të ndalesës për mallrat serbe”.
Arben Mustafa, koordinator i Departamentit për Ekonomi në Partinë Demokratike të Kosovës tha se “ky vendim ndoshta nuk do të merrej, nëse Albin Kurtit nuk do ti nevojitej shpërqendrimi i vëmendjes nga vendimi për lejimin e hyrjes së mallrave serbe”.
“4 vite pritje me këtë qeveri, dyfishim i çmimeve për shumicën e produkteve bazike, dhe në fund rritje 20 euro! Ky është rezultati 4 vjeçar i kësaj qeverie në përmirësimin e jetës së pensionistit! Këta njerëz nuk kanë pikë ndjeshmërie ndaj kushteve në të cilat sot jetojnë pensionistët!”, shkroi ai në Facebook.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e quajti “mashtrim” që “shpërfaq fytyrën e këtyre njerëzve”, vendimin e Qeverisë për rritjen e pensioneve.
Ky vendim, ai tha se “ka në vete mesazhin e mashtrimit në shkëmbim të votës për njërën ndër kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, pensionistët”.
Vendimi për heqjen e ndalesës për mallrat serbe u mirëprit nga ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde dhe ambasadori i Francës, Olivier Guerot.
Gjermania e ka kërcënuar Kosovën me përjashtim nga marrëveshja për tregti të lirë, CEFTA dhe Procesi i Berlinit nëse nuk e heq këtë ndalesë. I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin pati paralajmëruar se vendi rrezikon izolim të thellë.
Qeveria e Kosovës i ndaloi importet e mallrave nga Serbia në qershor të vitit 2023, si një masë sigurie pasi tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës ishin marrë nga forcat serbe. Më pas Beogradi i la ata të lirë pas presionit ndërkombëtar.
Sarrazin ka ofruar që Kosova të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), në këmbim të heqjes së kësaj ndalese. Gjithsesi, ai ka theksuar se pranë emrit të Kosovës do të vendosej një yll, ose fusnotë, që tregon se statusi i vendit nuk është zgjidhur përfundimisht.
Kurti tha se pret që në takimin e nesërm të CEFTA-s, Kosova do të përfaqësohet me emrin e vet.
“Aty pritjet tona janë që të përfaqësohemi si Kosovë”, tha ai.
Samiti i dhjetë i Procesit të Berlinit mbahet më 14 tetor.