Drita shkëlqen në “Fadil Vokrri”, kalon në raundin e dytë të Conference Leagues

E publikuar: 12/07/2022 22:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Drita ka arritur të shënojë fitore të madhe në Prishtinë, duke e mposhtur me rezultat 3:0 ekipin finlandez, Inter Turkun.

Kjo fitore e dërgon ekipin gjilanas në raundin e dytë kualifikues të Conference Leagues.

Ende pa u rehatuar si duhet tifozët në “Fadil Vokrri”, Drita arriti të kalonte në epërsi dhe të barazonte rezultatin e përgjithshëm në 1:1.

Ishte Simonovski i cili realizoi në minutën e dytë të ndeshjesm shkruan Gazeta Express.

Një gol i nevojitej Dritës për të pasur epërsinë e përgjithshme, por ai nuk erdhi në pjesën e parë.

Tifozët e shumtë në “Fadil Vokrri” shpërthyen në festë në minutat e para të pjesës së dytë.

Shkaktari ishte Arbnor Muja i cili realizoi dy herë brenda dy minutave.

Fillimisht, Muja shënoi në minutën e 49-të, duke “elektrizuar” tifozët vendas.

Menjëherë, dy minuta më pas, sërish ish-lojtari i Trepçës’89 realizoi për 3:0 duke i dhënë qetësinë e madhe ekipit të tij.

Më pas, ndeshja nuk prodhoi gola dhe Drita arrin të kalojë tutje në raundin e dytë kualifikues të Conference Leagues.

Aty, gjilanasit do të takohen me ekipin nga Belgjika, Royal Antwerp.