Drejtor i Qendrës për Politikë Praktike në Serbi: Vuçiq do të jetë gjithmonë aleat i Putinit

E publikuar: 01/11/2024 12:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Russian President Vladimir Putin , right, shakes hands with Serbian Prime Minister Aleksandar Vucic in the Novo-Ogaryovo residence, outside Moscow, Russia, Tuesday, July 8, 2014. (AP Photo/ Max Shipenkov, pool)

Udhëheqësit autoritarë si Vuçiq do të jenë gjithmonë aleatë të Vladimir Putinit dhe Xi Jinping, dhe kjo jo sepse kanë ndonjë afinitet të veçantë ndaj Rusisë apo Kinës, por sepse u pëlqen kjo mënyrë qeverisjeje.

Kështu ka thënë Dragan Popoviç, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike në Serbi. Sipas tij çdo qeveri autokratike është një armik i natyrshëm i Bashkimit Evropian.

Siç shton ai, raporti i ri për progresin e Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE është në shumë mënyra i ngjashëm me atë të vitit të kaluar.

“Retorika është pak më e ashpër, por në thelb vlerësimet janë të njëjta – pothuajse asgjë në Serbi nuk funksionon siç duhet në një vend ligjor dhe demokratik”.

Kurse sipas Goran Miletiq, drejtor i CRD për Evropë, harmonizimi i politikës së jashtme, që përfshin sanksionet, prej kohësh është bërë pjesë e rëndësishme e agjendës për çdo kandidat për në BE, përfshirë edhe Serbinë.

“Është paradoksale që i gjithë problemi filloi nga Serbia, e cila vendosi që agresioni i dukshëm, shkelja e ligjit humanitar dhe të drejtave të njeriut në Ukrainë janë krejtësisht të parëndësishme dhe vazhdoi të bashkëpunojë me autoritetet ruse pa asnjë sanksion. Borrell ka absolutisht të drejtë kur thotë se kjo do të ketë pasoja”, tha ai

Në raportin për Serbinë, Komisioni Evropian i bëri thirrje Serbisë që të përmirësojë harmonizimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese, dhe të shmangë aktivitetet dhe deklaratat që bien ndesh me qëndrimet e politikës së jashtme të BE-së.

Pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Serbia u rreshtua me disa nga qëndrimet e BE-së në forumet ndërkombëtare, duke përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dhe vazhdoi të bashkëpunojë me BE-në në parandalimin e anashkalimit të sanksioneve dhe në ofrimin e ndihmës financiare dhe humanitare për Ukrainën.

“Megjithatë, ajo ende nuk përputhet me asnjë masë kufizuese kundër Federatës Ruse dhe nuk është përputhur me shumicën e deklaratave të Përfaqësuesit të Lartë për këtë çështje. Ajo mbajti marrëdhënie të nivelit të lartë me Rusinë dhe intensifikoi marrëdhëniet me Kinën, gjë që shtron çështjen e drejtimit strategjik të Serbisë”, thuhet në raport.