Donald Trump ka thënë se SHBA mund të marrë kontrollin e Kanadasë, Grenlandës dhe Kanalit të Panamasë në një seri postimesh në mediat sociale për ditën e Krishtlindjes.
Presidenti i zgjedhur i uroi të gjithëve Gëzuar Krishtlindjet në platformën e tij “Truth Social”.
Dhe në postimet e gjata, Trump iu referua jetëve amerikane të humbura gjatë ndërtimit të kanalit të Panamasë dhe tha se SHBA-ja “fut miliarda dollarë para riparimi”.
Ai gjithashtu u tall me kryeministrin kanadez Justin Trudeau si “guvernator” dhe sugjeroi përsëri se vendi mund të shndërrohej në një shtet të SHBA – pas komenteve të ngjashme të bëra javët e fundit.
“Nëse Kanadaja do të bëhej shteti ynë i 51-të, taksat e tyre do të uleshin me më shumë se 60%, bizneset e tyre do të dyfishoheshin menjëherë dhe ata do të mbroheshin ushtarakisht si asnjë vend tjetër askund në botë”, shkroi ai.
Në një postim tjetër, Trump, 78 vjeç, tha se kishte inkurajuar ish-yllin e hokejit mbi akull, Wayne Gretzky të kandidonte për kryeministër, por ai “nuk kishte asnjë interes”.
Ai iu drejtua gjithashtu “popullit të Grenlandës, i cili është i nevojshëm për Shtetet e Bashkuara për qëllime të sigurisë kombëtare dhe që duan që SHBA të jenë atje, dhe ne do ta bëjmë!”.
Kjo vjen pasi zoti Trump rinovoi thirrjen që ai bëri gjatë mandatit të tij të parë në detyrë për SHBA-në për të blerë Grenlandën nga Danimarka.
Ishulli më i madh në botë është 80% i mbuluar nga një shtresë akulli dhe është shtëpia e një baze të madhe ushtarake amerikane.
Grenlanda fitoi autonominë nga Danimarka në vitin 1979.
Kryeministri i ishullit Mute Egede ka këmbëngulur se Grenlanda nuk është në shitje.
Trump gjithashtu ka kërcënuar më parë se do të rimarrë kontrollin e Kanalit të Panamasë, duke akuzuar Panamanë për tarifa të tepërta për të përdorur kalimin thelbësor tregtar dhe duke paralajmëruar për ndikimin e mundshëm kinez.
Presidenti i Panamasë, Jose Raul Mulino, reagoi më parë duke thënë se pavarësia e vendit të tij ishte e panegociueshme dhe se Kina nuk kishte asnjë ndikim në administrimin e kanalit.
Kanali është një rrugë ujore kritike për tregtinë botërore, që lidh oqeanin Atlantik dhe Paqësor dhe u lejon anijeve të shmangin udhëtimet e gjata dhe të rrezikshme rreth skajit më jugor të Amerikës së Jugut, duke kaluar në mes të Amerikës.
Pas hapjes së projektit ambicioz në vitin 1914, kanali dhe territori përreth u kontrolluan nga SHBA derisa një marrëveshje me Panamanë në 1977 hapi rrugën që ai të kthehej në kontrollin e plotë panamez në vitin 1999.
Kina nuk e kontrollon kanalin, por një degë e CK Hutchison Holdings me bazë në Hong Kong ka menaxhuar prej kohësh dy porte në hyrjet e kanalit në Karaibe dhe në Paqësor.