Papunësia paraqitet problemi kryesor te të rinjtë në Kosovë për vite me radhë. Edhe në Ditën Ndërkombëtare të Punës, disa nga të rinjtë thonë se papunësia është bërë fenomen shqetësues i shoqërisë dhe sfidë e rëndësishme për të ardhmen.
Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radio Evropa e Lirë, disa nga të rinjtë kryesisht studentë, shprehin shqetësimin se edhe përfundimi i studimeve universitare në Kosovë, nuk u garanton mundësi punësimi.
Rreth 61 për qind e të rinjve konsiderohen si të papunë, kurse Kosova konsiderohet si vend me popullsi të re në rajon.
Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ndërkaq, tregojnëse papunësia e përgjithshme në Kosovë është 35 për qind, ndërkaq, varfëria ekstreme 10 për qind.
Valdete Çollaku, nga komuna e Skënderajt, thotë se ka diplomuar në Departamentin e Gjeografisë, kurse studimet për master i ka përfunduar në Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës,por është e papunë.
Valdetja tregon se ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të siguruar një vend pune në profesionin e saj.
“Është jashtëzakonisht shumë vështirë, me gjithë përpjekjet e njëpasnjëshme në çdo konkurs. Ndoshta një herë në javë kam aplikuar në ndonjë konkurs por nuk ka rezultate”.
“Unë mendoj se nepotizmi, korrupsioni po ndikon në mospunësim. Por, ne, si shoqëri, po i pranojmë shumë lehtë këto fenomene, e që në realitet ne është dashur t’i luftojmë”, thotë Valdetja.
Mundësinë e punësimit e konsideron problem pas përfundimit të studimeve edhe Elisa Toli, studente e departamentit të Psikologjisë në Fakultetin Filozofik.
“Është problem, sepse nuk ka oferta për punë, pasi nuk ka vende të punës. Edhe në rast të ndonjë konkursi njerëzit punësohen me të njohur. Unë deri më tani nuk kam punuar, po mendoj t’i përfundoj studimet, pastaj të konkurroj për ndonjë vend pune”, shprehet Elisa.
Kastrioti është student në vitin e tretë në Fakultetin Juridik. Edhe Kastrioti e konsideron problem punësimin, pasi, sipas tij, në sektorin privat shkelen të drejtat e punëtorëve, kurse në sektorin publik, ai thotë se është e pamundur për shkak të nepotizmit.
“Në Kosovë nuk ka vende pune. Sektori privat i shkel të drejtat e punëtorëve, qytetarët po lodhen, po e lëshojnë punën dhe po shqyrtojnë mundësinë të dalin jashtë vendit për të gjetur një vend pune. Unë edhe pse studioj në Fakultetin Juridik, edhe pas përfundimit do të mbes pa punë, sepse i forti shkon pas të fortit”, thotë Kastrioti.
Sokol Kozhani, student në Fakultetin Juridik, thotë se ka aplikuar për punë në institucionet publike, por ka qenë e pamundur. Duke parë tregun e punës, Sokoli thotë se puna e tij, pas përfundimit të studimeve do të jetë kamerier.
“Punësimi bëhet nëpërmjet lidhjeve familjare apo partiake. Unë kam konkurruar për një pozitë të lirë në komunën e Lipjanit, por nuk kam arritur të pranohem, sepse janë pranuar me të njohur. Unë edhe kur do t’i përfundoj studimet, prapë do të përfundoj si kamerier”, shprehet Sokoli.
Edhe Valdetja, e cila thotë se ka konkurruar në disa konkurse, tregon se për të siguruar një vend pune, duhet të bëhesh pjesë e klaneve të krijuara në institucionet shtetërore në Kosovë.
“Njerëzit në institucione kanë krijuar klane… Tani për të kaluar në atë klan është vështirësi e madhe, pasi ose duhet t’i thyej parimet e mia e të bëhem pjesë e klanit, gjë që mua nuk më konvenon. Kështu që tash kam mbetur me kualitet jashtë klanit. Por, shpresoj se një ditë do ta siguroj vend pune”, thotë Valdetja.
Se nepotizimi apo lidhjet familjare janë faktorë të rëndësishëm për të siguruar në vend pune, është thënë disa herë edhe në hulumtimet e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP).
Por, ka edhe të atillë që janë optimistë për mundësinë e gjetjes së një vendi pune.
Jeton Hoxha studion për Marketing në Fakultetin ekonomik, njëherësh punon si kamerier në një lokal në Prishtinë. Ai shprehet se nëse ekziston gatishmëria dhe vullneti, puna mund të gjendet.
“Nuk është e vështirë të gjesh punë, por të rinjtë nuk po dëshirojnë të punojnë. Unë studioj dhe punoj si kamerier. Deri më tani nuk kam tentuar të gjej ndonjë punë në profesion tim, por pas përfundimit të studimeve besoj se do të gjej punë adekuate të profesionit tim”, konsideron Jetoni.
Edhe Blerimi studion në Fakultetin Ekonomik. Edhe Blerimi nuk sheh shumë probleme gjetjen e një vendi pune, pas përfundimit të studimeve, transmeton rel.
“Punësimi nuk besoj se është problem për ata që dëshirojnë të punojnë, e për ata që përtojnë të punojnë, gjithmonë do të jetë problem. Unë shpresoj se pas përfundimit të studimeve, do të siguroj vend pune”, pohon Blerimi.