Qeveria Thaçi asht kthye në nji sipërmarrje shantazhi. Mbas kthimit të Hashim Thaçit në qeveri, humbja e shpresës në Kosovë asht tronditëse. Departamenti i Shtetit duhet me marrë përgjegjësinë për mbështetjen e fshehtë që i dha qeverisë së Hashim Thaçit, ndërsa Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit Amerikan të Shtetit duhet me hetue ish-ambasadorin amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, për rolin që ka luejtë në nënshkrimin e kontratës së Bechtel për autostradën Shqipni-Kosovë.
Këto janë disa prej qëndrimeve që u thanë dje në Kongresin Amerikan nga ish-kongresmeni Joseph. J. Dioguardi, në cilësinë e Presidentit të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, i thirrun për me folë për Kosovën.
Dje mbasdreke, për tre orë rresht, nga ora 14:00 deri në 17:00, në Kongresin Amerikan asht folë për Kosovën dhe Maqedoninë. Seanca dëgjimore ndahej në dy panele, ku merrnin pjesë zavendësndihmësi amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, ndihmësadminsitratorja Susan Fritz nga Zyra e Europës dhe Euroazisë në Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Ivan Vejvoda – zavendëspresident i Fondit Amerikan të Planit Marshall, si dhe ish-kongresisti Joseph J. Dioguardi, President i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane.
Seanca drejtohej nga kongresmeni Dana Rohrabacher, ndërsa komisioni përbahet nga 13 anëtarë të Kongresit.
Ma poshtë, lexoni të plotë fjalën e Dioguardi’i përpara Nënkomisionit të Kongresit Amerikan për Europën, Euroazinë dhe Kërcënimet e reja, si pjesë e Komisionit për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan. Tema e seancës se djeshme dëgjimore ishte “Progrësi dhe sfidat në Ballkanin Perëndimor”.
Politika e jashtme amerikane në Ballkan po dështon edhe nji herë. Pa zgjidhjen e drejtë të marrëdhanieve kundërshtuese që janë ende të dukshme mes Serbisë dhe Kosovës 16 vjet mbas sulmeve ajrore të NATO’s kundër Serbisë që i dhanë fund luftës, nuk ka me pasë paqe dhe stabilitet në Ballkan. E ardhmja e integrimit të Europës Juglindore në Bashkimin Europian asht në rrezik.
U banë dy vjet qysh se Marrësveshja Prishtinë-Beograd u nënshkrue nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri serb Ivica Dacic, dhe ky komision ka mbajtë nji seancë dëgjimore për këtë. Mandej, Përfaqësuesja e Naltë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, e cila ndërmjetësoi marrëveshjen dhe e quejti atë historike, priste që implementimi me nisë mbrenda disa javësh nga firmosja e 19 Prillit 2013. Në fakt, veç pak prej marrëveshjes 15-pikëshe asht zbatue. E ma e randësishmja, ndamja de fakto e veriut të Kosovës ga Serbia asht ende e pazgjidhun dhe Sebia ende nuk i ka shpërba strukturat e veta paralele atje.
Serbia ende kërkon të drejta që shkojnë përtej Planit të Ahtisaarit (zyrtarisht: Propozimi Gjithpërfshimës për Statusin e Kosovës”), në basë të t’cilit, Kuvendi i Kosovës shpalli pamvarsinë e Kosovës me 17 Fror 2008 dhe pranoi mbikqyrjen ndërkombëtare. Plani i Ahtisaarit, i cili fokusohet kryesisht në mbrojtjen e të drejtave të pakicave në Kosovë, paraqet koncecionin maksimal të shumicës shqiptare në Kosovë prej 92 përqind, për statusin final të Kosovës. Ndërkohë, shumica shqiptare në jug të Serbisë, në Presheve, Medvegjë e Bujanoc, nuk ka asnji nga të drejtat që gëzon minoriteti serb në Kosovë.
Për shkak të Planit të Ahtisaarit dhe për shkak të refuzimit të Serbisë për me njoftë sovranitetin e Kosovës, Kosova asht e pamvarun veç n’emëm. Kosova nuk ka ende nji ulëse në Kombet e Bashkueme, ose në organizmat e tjerë ndërkombëtarë, çka don me thanë se ka krejt pak investime të hueja. Ai asht gjithashtu, i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor pa liberalizim të vizave. Kjo ka çue në papunësi masive, sidomos n’mesin e të rive (dikund ma shumë se 60%), shumë prej t’cilëve janë me arsim të naltë, por pa punë e pa nji t’ardhme në Kosovë. Si rezultat, dia mija e kanë lanë Kosovën për me shkue n’Europën perëndimore qysh prej Dhetorit, në mënyrë të paligjshme. Shumë komentatorë kanë vërejtë lirimin e kufizimeve kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë.
Por arsyeja e vërtetë e ikjes asht humbja e besimit te Perëndimi, i cili – sikurse theksoi Këshilltarja për Ballkanin e Ligës Qytetatare Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloyes DioGuardi, në artikullin e saj të Dhetorit 2014 “Përballimi i Rranjëve të Spirales së Ranies së Kosovës” (për çka jam thirrë në këtë seancë dëgjimore të Kongresit) – lehtësoi kthimin në pushtet te elitës politike që “ka pengue lulëzimin dhe përparimin e Kosovës gjatë dekadës së fundit”. Mbas bllokadës 6-mujore që pasoi zgjedhjet e përgjithme të 8 Qershorit 2014 në Kosovë, e që u zgjidh me shpërbamjen e koalicionit që kundërshtonte kthimin e Partisë Demokratike në ushtet dhe të Hashim Thaçit si kryemninistër, humbja e shpresës në Kosovë asht tronditëse.
Elita politike shqiptare në Kosovë po bahet gjithnji e ma e pasun, derisa shumica e popullit shqiptar po varfnohen çdo ditë e ma shumë. Departamenti i Shtetit duhet me marrë përgjegjësinë për mbështetjen e fshehtë që i dha qeverisë Thaçi, e cila asht kthye në nji sipërmarrje shantazhi. Humbja e shpresës në mesin e shqiptarëve, historikisht populli ma properëndimor, ma proamerikan në Europë, asht e lidhun gjithashtu me përfshimjen e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkueme në disa nga rastet ma flagrante të korrupsionit që shqetësojnë Kosovën. (Nji puntore gjermane e BE’s u dënue për vjedhjen e 4.3 milion eurove nga Kosova). Asht gjithashtu koha që Administrata me pranue rolin që ish-ambasadori i saj në Kosovë, Christopher Dell (2009-2012), ka luejtë në shtymjen drejt nji marrëveshjeje të Korporatës Bechtel për me ndërtue autostradën nga Kosova në Shqipni, (kostoja e të cilës, nga 1 miliardë dollarë u rrit në 2 miliardë, e që mund të ishte ndërtue me ma pak parè nga kontraktorët vendorë), e mandej marrjen e nji pozicioni të naltë te Bechtel në Afrikë, menjiherë mbas largimit nga posti i tij në Kosovë, raporton rrokum.tv.
Ndërtimi i saj dhe kostoja e teprueme ndodhi kur Kosova ishte (edhe asht ende) nji vend i paaftë për me krijue vende pune dhe stabilitet politik. Kjo asht krejt e papranueshme dhe duhet me u hetue nga Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Shtetit.