Autoritetet kompetente në Kosovë po bëjnë përpjekje të vazhdueshme që të përmirësojnë kushtet për qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë dhe veprojnë dhe vende të ndryshme të botës, apo kapitalin e tyre financiar ta shfrytëzojnë në Kosovë.
Së fundmi Ministria e Financave, ka njoftuar se gjatë këtij viti, do të emetohen letra me vlerë dedikuar diasporës të quajtura “Bono për Diasporën”.
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, të martën ka hapur zyrtarisht kampanjën informuese për mundësinë e re të investimit që do t’i ofrohet diasporës.
Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se emetimi i letrave më vlerë për diasporën, është burim shtesë për financimin e nevojave për zhvillim ekonomik.
Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se diaspora do të shpreh interesim të mjaftueshëm për blerjen e bonove të thesarit të Qeverisë se Kosovës.
Bektashi, e konsideron atraktiv projektin për diasporën, pasi sipas tij, afati i maturimit për bono është i leverdishëm dhe njëherësh norma e interesit është më e lartë se sa për depozita në vendet ku jetojnë qytetarët e Kosovës.
“Unë besoj se për shkak të atraktivitetit dhe normave të interesit që për bono sillen një për qind shumë njerëz kapitalin e tyre do të bartin në Kosovë nga shtetet ku jetojnë dhe veprojnë. Diaspora në Kosovë do t’i realizojë dy qëllime: do të thotë, normë të interesit me risk shumë të vogël, pasi garantues për kthimin e atyre mjeteve është shteti i Kosovës”.
“Por, njëkohësisht do të mund të kontribuojë edhe në zhvillimin e ekonomik, punësimin, që do të ngrit edhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës”, shprehet Bektashi për Radion Evropa e Lirë.
Edhe profesori tjetër në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Sadiku, pohon se emetimi i letrave me vlerë për diasporën është një fillim modest. Ai thotë se letrat më vlerë nevojiten për qëndrueshmëri të buxhetit të Kosovës.
“Funksionalizimi i tregut me vlerë ka rëndësi të madhe. Është një fillim modest, do të ishte më mirë që oferta të ishte për tregun e integruar evropian, për të gjithë. Por, kjo është fazë fillestare e ndërtimit të tregut të letrave më vlerë”.
“Këto letra më vlerë unë besoj se qeveria në radhë të parë duhet të financojë buxhetin e vetë, sepse buxheti përballet me apetite të ndryshme, për shpenzime mund të gjenden edhe projekte tjera publike me një mundësi të mirë për rikthimin e mjeteve”, tha Sadiku.
Edhe Mejdi Bektashi, vlerëson se bonot e thesarit që shet Qeveria e Kosovës përmes Bankës Qendrore të Kosovës, fillimisht duhet të përdorën për mbulimin e deficitit apo ruajtjes se stabilitetit makro financiar të buxhetit të Kosovës e më pas të kalojnë në projekte konkrete”.
“Por, në të ardhmen shumë të afërt, pasi afati i maturimit është pesë vjet, për veç këtij destinimi këto mjete duhet të përdoren për zhvillimin e projekteve zhvillimore, kryesisht në sektorët prioritarë, me qëllim të rritjes së punësimit dhe zvogëlimit të importeve nga shtet e rajonit.”, thotë Bektashi.
Ministri i Finanave, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se në vitin 2016 në qarkullim qeveria ka një portofol të letrave me vlerë prej afro 400 milionë euro, dhe 6 instrumente me afat maturimi që fillon nga 3 muaj e shkon deri në 5 vite.
Sidoqoftë, sipas regjistrimit të deritashëm të diasporës, janë evidentuar rreth 200 mijë qytetarë të Kosovës të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës. Ky proces i regjistrimit të diasporës është duke vazhduar dhe pritet të përfundojë në vitin 2017, transmeton rel.
Dërgesat e emigrantëve kosovarë, që çdo vit hyjnë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare janë rreth 600 milionë euro.