Gyltene Dërguti nga “Lista për Familjen” deklaroi se nësë vijnë në pushtet, do të krijojnë Ministrinë për Familjen.
Në emisionin Rubikon në Klan Kosova ajo theksoi se si shtyllë kryesore në Ministrinë e Familjes është shtimi i natalitetit, dhe se për këtë pushimi i lehonisë parashihet të mbështetet deri në dy vjet.
“Gratë të cilat punojnë i paguan vendi i punës 6 muajt e parë, ashtu si është edhe tani. Ndërsa gratë që nuk punojnë, që nga muaji i parë i lindjes për fëmijën e parë do të kenë një pagë mujore nga qeveria 500 euro, për lindjen e fëmijës së dytë do të kenë pagë mujore 750 euro, ndërsa për lindjen e fëmijës së tretë 1000 euro dhe tutje”, tha Dërguti.
Për këtë ajo tha se rreth 130 milionë euro kushton një vit dhe kjo do të bëhet duke e rritur akcizën e alkoolit dhe cigares që futet brenda vendit dhe se mund të sigurohet buxheti pa u vështirësuar gjendja ekonomike e vendit.