Ajo ia ka dalë që e vetme si grua të udhëheqë një drejtori me plot burra dhe po vazhdon të jetë e vetmja e mbuluar në parlamentin e një shteti laik.
Vonohet dy minuta në takim dhe kërkon falje. Takohemi në holl të Kuvendit të Kosovës dhe e kisha mendjen a t’ia zgjas dorën apo jo. Një femër me mbulesë mund edhe të mos jua zgjasë dorën. Por jo, ajo më zgjat dorën dhe më fton në zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ajo është pjesë e grupit parlamentar të PDK-së pasi që partia e saj ishte në koalicion parazgjedhor me këtë parti.
Labinota, një albanologe e diplomuar, është nga fshati Livoç i Poshtëm që shtrihet në jug-perëndim të qytetit të Gjilanit, pothuaj udhëton çdo ditë nga 50 kilometra në një drejtim kur ka seanca të Kuvendit, apo takime në Komisionin për Buxhet dhe Financa ku është anëtare.
Deputetes së Partisë së Drejtësisë i ka rënë hise ky komision, por parapëlqen atë për barazi gjinore.
“Aty e kisha ndi veten edhe ma mirë, sepse në atë fushë kisha dhanë ma shumë sepse jam e familjarizuar. Por kështu ka vendosë grupi parlamentar”, thotë Labinota për Gazetën Jeta në Kosovë.
Ajo është për herë të parë pjesë e legjislaturës. Është e martuar dhe ka dy djem. Njëri është pesëvjeçar ndërsa tjetri dyvjeçar.
Kush është Labinotë Demi-Murtezi?
Para se të bëhej deputete kishte qenë kandidatja e vetme femër nga radhët e PD-së për kryetar të Gjilanit më 2013.
Humbi, por partia e saj bëri koalicion me fituesin e zgjedhjeve-LDK-në.
Asaj i jepet besimit të udhëheqë Drejtorinë Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie.
Deputetja e mbuluar kosovare kujton një detaj interesant në përvojën e saj pesëmuajshe si drejtore që nga 1 shkurti e deri më 17 korrik të vitit të kaluar.
Thotë se në drejtori nuk kishte pasur asnjë femër me të cilën mund të fliste lirshëm për tema jashtë punës e profesionit.
“Më ka pengu shumë, edhe e kam ngritur këtë ankesë shumë. Nuk kishe as një kafe me kënd me pi. Ki nevojë për gjininë e njëjtë. Pata marrë një praktikante, për me ardhë me mu në takime e udhëtime zyrtare”, tregon Demi-Murtezi.
Ajo shton se nga puna e shumtë që kishte shpesh bukë kishte ngrënë në zyrë.
“Shumë shpesh më ka ndodhë me dalë me marrë një burek, a një kifle e me kry shpejt në tavolinë sepse ka pasë shumë palë”, thotë ajo duke shtuar se e kishte marrë shumë afër zemrës udhëheqjen lokale të shëndetësisë që kishte një buxhet të vogël prej vetëm 105 mijë eurosh.
Para se të merrte pozita të rëndësishme në politikë, ajo ishte marrë me aktivitete kryesisht kulturore si me moderim, recitim e këndim.
Kishte marrë pjesë në gara të recitimit të nivelit kombëtar e gjithëkombëtar.
Ajo aktivitetin politik nuk e kishte filluar me PD-në, por me Forumin e të Rinjve të LDK-së në Gjilan e më pastaj edhe në qendër.
“Unë e kam moderu fushatën zgjedhore të LDK-së, në zgjedhjet e para të përgjithshme në vitin 2000 në stadium të qytetit, ia kam dhanë fjalën Rugovës”, kujton ajo.
Më 2001 ishte larguar nga LDK-ja dhe në këtë vit thotë se e kishte kuptuar se politika nuk është gjithmonë e drejtë.
Një vit më pas kishte filluar studimet në letërsi në Prishtinë.
Pas studimeve ishte kthyer sërish në Gjilan ku kishte filluar punën si infermiere, në profesionin e dytë të saj.
Kur kishte regjistruar masterin më 2011 kishte ndihmuar spitalin edhe në punën e lekturimit.
Në vitin 2012 ishte regjistruar në Partinë e Drejtësisë. Sot është anëtare e kryesisë së PD-së dhe përgjegjëse brenda partisë për çështje të gruas.
Në vitin 2013 ajo ishte kandidate e partisë së drejtësisë për kryetare të komunës.
“Ka qenë sfiduese. E kisha djalin e vogël vetëm 6 muaj. S’kam qenë aktive, por i kam përcjellë zhvillimet në Gjilan. Ishte vështirë mes atyre burrave”, thotë deputetja.
Madje kujton edhe një detaj nga debati zgjedhor Jeta në Komunë.
“Debati me Jetën ka qenë i vështirë, në anën tjetër kam gëzu respekt nga kundër kandidatë që kishin një përvojë të madhe”, deklaron ajo.
Deri sa po udhëhiqte shëndetësinë në Gjilan, në Kosovë po mbaheshin zgjedhjet parlamentare 2014.
Partia e saj ishte në koalicion lokal me LDK-në, ndërsa në qendër ishte në koalicion parazgjedhor me PDK-në.
“Kjo më ka ba me u ndesh shumë me vetveten përbrenda, jo për tjetër po me vazhdu dy koalicione të ndryshme në të njëjtën kohë. Unë kam qenë pikë reflektuese. Por sot na jemi prapë së bashku më të dyja partitë në koalicion në nivel qendror”, thotë ajo.
Shton se në fillim kishte dyshime për koalicionin PDK-LDK, por tash mendon ndryshe.
‘Koalicioni mu doke inert, por tash po shihet që po punohet’.
Labinotë Demi – Murtezi është femra më e votuar në grupin parlamentar të PDK-së, ku janë edhe Partia e Drejtësisë dhe Lëvizja për Bashkim.
Ajo kishte marrë 14 mijë e 232 vota, ndërsa në nivel Kosove është e katërta me vota, pas Vjosa Osmanit e Teuta Rugovës nga LDK-ja e Puhie Demakut nga Lëvizja “Vetëvendosje!”.
Feja dhe Familja
Me fe ishte marrë që nga koha e paraluftës, ku në xhami kishte mësuar shkrim-lexim.
“Vazhdimisht kam lexu, jam falë 5 vakte, kam pas një veshje ma modeste. Në nëntor 2003 jam mbulu dmth në semestrin e parë të vitit të fundit në fakultet”, thotë ajo.
Deputetja tregon përkushtimin ndaj fesë në familjen e saj.
“Familja ime e reflekton realitetin e krejt Kosovës. Unë falem dhe kam mbulesë. Motra falet por nuk ka mbulesë. Vëllai i madh edhe i dytë falin xhumanë, bajramin, Baba falë kryesisht bajramin, nana fal naj namaz, po jo rregullisht, vëllai i vogël falë pesë vakte. Por që gjithmonë në familjen tonë ka dominu një frymë shumë tolerante” shpjegon deputetja.
Kemi pasur harmoni në familje. “Secili e kultivon ashtu qysh e ndin edhe qysh e sheh të arsyeshme”.
Thotë se nuk ka vërejtur ndonjë paragjykim sa të ndihet e konservuar në kornizë. “Kurrë s’kam menduar kam shami edhe duhna me kanë tash e kujdesshme. Unë vazhdoj me qenë e njëjta që kam qenë edhe nuk i kam duart e përzime edhe ndihem rehat. Nëse dikush ndihet parahat me mu skam çka boj”, thotë ajo.
Ajo nuk jep shpjegim të saktë se kah duhet të drejtohet Kosova, nga Lindja apo nga Evropa.
“Kosova duhet me u drejtu aty ku e ka vendin si pjesë e Ballkanit, na jemi myslimanë të Evropës. Na i kemi vlerat tona edhe si komb edhe si fe”.
“Kosova është shembull ideal për tolerancë. Edhe multietnike edhe multifetare”, thotë Demi-Murtezi dhe shton se komunitetet fetare nuk kanë përbërë asnjëherë probleme për shtetin e Kosovës.
“Krejt çka po e them e nisi nga vetja. Kam pasë katolikë në grup në fakultet, kam pas protestantë, dervishë, e me të gjithë kam pasë bashkëpunim të mirë. Njërën nga shoqet ma të mira e kam Marie Nikollën, katolike, sot është gazetare ajo, nga Stublla’’.
Nikolla flet në superlativ për mikeshën e saj myslimane.
“E kam njoftu para se me mbulu. Ka qenë vajzë e zakonshme edhe studente e mirë, edhe kemi pasë pas raporte korrekte. Kemi vazhdu me nejt edhe pasi u mbulu edhe tash pasi që është deputete”, thotë Marie Nikolla, gazetare në “Rrokum TV”.
A po bëhemi shoqëri më religjioze?
Deputetja nga Gjilani vlerëson se të rinjtë që po rreshtohen krah grupimit militant ISIS nuk po bëjnë mirë.
Thotë se shkuarja në këtë luftë nuk është parimore dhe sipas saj, veprimet që po i bën ky grupim ushtarak janë në kundërshtim me udhëzimet e pejgamberit (apo profetit) Muhamed a.s.
“Nuk mundet një mysliman i mirëfilltë me ba veprime të tilla çfarë po shohim”, thotë ajo.
Megjithatë, sipas saj, përveç rreshtimit të të rinjve krah ISIS-it, imazhin e Kosovës janë duke e dëmtuar edhe dukuri tjera.
“Segmentet tjera janë korrupsioni, është hajnia që po shfaqet, është prostitucioni e shumë tjera. Unë nuk du me ba krahasime po na i kemi edhe këto probleme”, shton deputetja që e ka marrë me përkushtim këtë pozitë në mandatin e saj të parë.