Deputetja britanike – Borrellit dhe Von der Leyenit: Largoni masat ndëshkuese ndaj Kosovës

E publikuar: 29/10/2023 14:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Alicia Kearns që është shefe e Komitetit për punë të jashtme në Parlamentin britanik, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ku tha se u ka bërë të qartë ndërkombëtarëve se nuk do t’i zbatojë pikat “që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës dhe pranimin e saj në OKB”.

Kearns u ka bërë thirrje përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme Josep Borrell dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja ia ka vendosur Kosovës.

Ajo ka thënë se Kosova po vazhdon të punojë me komunitetin ndërkombëtarë, përkundër sulmit terrorist të orkestruar nga Beogradi.

“Sërish Kosova punon me komunitetin ndërkombëtarë, përkundër sulmit terrorist të orkestruar nga Beogradi. Sërish Vuçiqi refuzon. Largoni tash sanksionet ndaj Kosovës, Josep Borrell e Ursula von Der Leyen”, ka shkruar Kearns.

 

Vuçiq tha për televizioni Prva të Serbisë se afatet kohore për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë më nuk kanë asnjë kuptim dhe se Serbia është e gatshme të përmbushë gjithçka që nuk përfshin njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara.Gjermania, Franca dhe Italia kanë kërkuar që Beogradi të njohë de facto pavarësinë e Kosovës dhe që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kështu është thënë në letrën e nënshkruar nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.

Kjo letër vjen pasi liderët e tri shteteve kyçe të Bashkimit Evropian zhvilluan takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel më 26 tetor.

“Unë iu thash që ne jemi të gatshëm të zbatojmë [marrëveshjet], por thash se për këtë nuk jemi pajtuar”, tha Vuçiq, duke shtuar se ka refuzuar që të nënshkruajë dokumentet e ofruara.

“U thash se ne kemi Kushtetutën e Serbisë”, tha ai./dukagjini