Deputeti Shala: Themelimi i AKS-së mund ta destabilizojë vendin

E publikuar: 17/09/2016 15:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti Shala: Themelimi i AKS-së mund ta destabilizojë vendin
Kompletimi i Ekipit Menaxhues, i cili do të punojë në hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk i ka pëlqyer aspak partive opozitare. Opozitarët po insistojnë qe statuti i këtij Asociacioni të jetë i ngjashëm më statutin e Asociacionit të Komunave shqiptare. Haxhi Shala, deputet i Nismës për Kosovën, e ka vlerësuar si të panevojshëm kompletimin e një ekipi të tillë, pasi ai thotë se do të duhej të merrej për bazë forma e rregullimit ligjor siç është Asociacioni i komunave shqiptare.

Shala, i ka kërkuar Qeverisë që të bëjë kujdes në hartimin e këtij statuti dhe të merr parë bazë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese përkitazi më këtë çështje. Në të kundërtën, sipas tij, vendi do të shkoj drejt destabilizimit.

“Nuk ka pas nevojë fare të kompletohet ky ekip menaxhues. Qeveria e Kosovës, është dashur qe të bëjë presion mbi Brukselin qe Serbia të pranojë qe për hartimin e statutit të AKS-së të jetë i ngjashëm më atë të komunave shqiptare. Megjithatë, ekipi që është bërë duhet kujdesur qe të mos prodhoj statut jashtë vendimit të Kushtetueses pasi gjithçka qe del jashtë këtij vendimi çon drejt destabilizimit të situatës”, ka thënë Shala për Indeksonline.

Shala, i cili është edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të AKI-së thotë se më këtë vendim Qeveria ka filluar të zmbrapset nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Një ditë më parë Qeveria e Kosovës, nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se është kompletuar ekipi Menaxhues, i cili në bashkërendim me institucionet e Republikës së Kosovës, OSBE-në, BE-në dhe me përkrahjen e Ambasadës amerikane, do të punojë në hartimin e statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, në harmoni të plotë me marrëveshjen e vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.