Deputeti i VV-së thotë se nuk ka arsye për frikë nga Trumpi, Grenellin e kritikon pa ia përmend emrin

E publikuar: 08/11/2024 18:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, ka komentuar fitoren e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se mbështetja për Kosovën do të vazhdojë pavarësisht ndryshimeve në administratën amerikane.

Sipas Halitit, Kosova ka pasur gjithmonë përkrahjen e ShBA-ve, pavarësisht partisë që është në pushtet në Uashington.

“Asnjë arsye nuk ka (për tu frikësuar). Besoj tashmë, qytetarët e dinë po edhe ne sigurisht që nuk ka shumë rëndësi kush udhëheq, cila parti udhëheq me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova gjithmonë ka pas mbështetjen SHBA-ve, në të gjitha proceset politike që ka kaluar. Nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Besoj së do të vazhdoj përkrahja dhe bashkëpunimi, siç ka qenë deri tash”, ka thënë Haliti në FIVE të Dukagjinit.

Duke mos ia përmendur emrin e ish-emisarit amerikan, Richard Grenell, – jo shumë i dashur dhe shumë i kritikuar nga partia në pushtet – Haliti iu referua indirekt atij, duke thënë se disa nga kërkesat e zyrtarëve amerikanë në të kaluarën ishin në interes të Serbisë.

“Mund të ketë mospajtime me zyrtarë specifik (si me Grenellin), kemi pasur edhe me BE-në, kur ka pasur zyrtar që në raport me Kosovën nuk kanë qenë shumë të drejt ose nuk kanë qenë shumë të balancuar në raport për bisedime me Serbinë. Përndryshe probleme ose mospajtime nuk ka pasur asnjëherë sa i përket raportit mes Kosovës dhe SHBA-ve ose ndonjë vendi specifik të BE-së.

Nuk e di cilit zyrtar (amerikan) po i referohesh (që është ofenduar nga zyrtarë të VV-së). Mirëpo është kërkuar diçka nga Kosova, që ne ose Qeveria e ka konsiderua që nuk përkon që është interesi i Kosovës, gjithmonë në raport me Serbinë. Përndryshe ato kërkesë kanë qenë në raport me bisedimet me Serbinë”, ka shtuar Haliti.