Gushti është muaji kur tradicionalisht në banka ka një shtim të kursimeve, sidomos atyre në euro, si rrjedhojë e prurjeve të emigrantëve.
Por, gushti i këtij vit ka qenë ndryshe nga të mëparshmit. Banka e Shqipërisë njoftoi në statistikat e saj se stoku i depozitave qëndroi pothuajse i pandryshuar në krahasim me muajin e mëparshëm, si rrjedhojë e rritjes së lehtë të valutës dhe vijimit të rënies së kursimeve në lekë. Një vit më parë stoku i depozitave ishte rritur me 15 miliardë lekë, apo gati 110 milionë euro me bazë mujore në gusht.
Të dhënat historike të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kjo është shtesa më e ulët mujore e depozitave në gusht, të paktën që prej vitit 2006, kur raportohen të dhënat (shiko grafikun).
Në gusht 2017, vetëm depozitat në valutë u zgjeruan me 9.2 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë kjo rritje kishte arritur në rekordin e viteve të fundit, me rreth 22 miliardë lekë. Ndërsa kursime në lekë ranë me 8.6 miliardë lekë, duke bërë që efekti në total i rritjes të jetë minimal. Në vitin e mëparshëm, rritja e kursimeve në valutë ishte aq e lartë saqë e kishte bërë të pandjeshëm efektin e tkurrjes së depozitave në valutë.
Depozitat në lekë me afat të individëve po vijojnë të zhvendosen nga bankat, duke rënë me 6.6 miliardë lekë në gusht, si reflektim i normave të ulëta të interesit, ku për kursimet 1 vjeçare tashmë mund të fitosh më pak se 1% në vit. Këto kursime po kalojnë në bono, në maturitete më afatgjate, apo po përdoren për blerje të pasurive të paluajtshme, si një alternativë investimi përmes dhënies së tyre me qira.
Depozitat me afat në lekë të individëve në gusht 2017 përbënin 27% të totalit, nga 45% në vitin 2016.
Teksa vitet e fundit rënia e interesit të depozitave uli depozitat në lekë, individët rritën kursimet në euro (ndonëse dhe euro ka interesa të pafavorshme), si rrjedhojë e faktit që euro shihet si një monedhë garancie në Shqipëri.
Në gusht 2017, stoku i depozitave në valutë përbënte 53% të totalit, nga 40% që ishte në gusht të vitit 2006. /Monitor/