Partitë politike në Kosovë kanë pakënaqësi me demokracinë e brendshme përbrenda tyre.
Në një debat që u organizua nga Instituti i Kosovës për Politika Zhvillimore – KIPRED, me temën “Subjektet Politike në Kosovë: Demokracia e brendshme, sistemi politik, dhe fushata zgjedhore”, – përfaqësuesit e partive politike thanë se nuk mund të mburren me shkallën e demokracisë përbrenda partive politike.
Sali Morina, përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vlerësuar me këtë rast se subjektet politike mund të bëjnë me shumë rreth ndryshimit dhe avancimit të demokracisë së brendshme.
“Ne nuk jemi të kënaqur sa duhet, sepse duhet të jipet hapësirë dhe mundësi më e madhe që demokracia e brendshme të luajë rolin e vet pozitiv brenda subjekteve politike dhe konsideroj që ne duhet të jemi ata që i bëjmë këto ndryshime”, ka thënë Morina.
Një debat interesant është zhvilluar rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit të Kosovës në të ardhmen.
Aktualisht mbizotërojnë dy ide, ajo e vazhdimit të zgjedhjes së presidentit nga ana e Kuvendit dhe ideja e zgjedhjes së drejtpërdrejtë me anë të votës së popullit.
Partia Demokratike e Kosovës e cila synon që nga vitit 2016 të zgjedh në postin e presidentit të Kosovës liderin e saj Hashim Thaçi, insiston që një president i zgjedhur nga populli do të ishte zgjidhja më e mirë.
Basri Musmurati nga Partia Demokratike e Kosovës, ka vlerësuar se është koha që Kosova të zgjedh drejtpërdrejtë presidentin e saj. Ky post, sipas tij, do të ishte më i fuqishëm dhe do të përfaqësonte vendin pa ndikimin që aktualisht e kanë te ky post partitë politike.
“Shtrohet pyetja: A na nevojitet neve një president i fuqishëm, ku nuk mund të përzihen tepër subjektet politike për interesat e tyre?. Unë mendoj se gati, gati jemi pjekur si shoqëri për ta pasur një president të tillë dhe ta fuqizojmë tek e fundit këtë post”, ka theksuar Musmurati.
Zgjedhja e presidentit me votën e drejtpërdrejtë të popullit është kundërshtuar nga përfaqësues të opozitës.
Dardan Molliqaj, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se do të ishte e pakuptimtë që presidenti të zgjidhej drejtpërdrejtë, pasi që Kosova është shtet me sistem parlamentar.
“Rregullimi i Kosovës duhet të jetë parlamentar, kurse presidenti duhet të jetë përfaqësues simbolik i shtetit. Mendoj që zgjidhja nuk është te zgjedhja e drejtpërdrejtë, sepse nëse presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejtë, atëherë ndërron karakteri i shtetit dhe bëhemi shtet presidencial. Nuk ka kuptim me qenë shtet parlamentar, kurse presidenti të zgjidhet nga populli, sepse është e pakuptimtë”, ka thënë Molliqaj, raporton rel.
Instituti KIPRED e ka organizuar këtë tryezë në kuadër të projektit rajonal “Studim krahasues i sistemit zgjedhor në Ballkan: Ndikimi i votës personale në demokracinë e brendshme partiake”.
Sa i përket Kosovës, sërish ka dalë si përfundim se niveli i demokracisë së brendshme tek partitë politike është jo i kënaqshëm.