Deklarohet Prokuroria Speciale për aksionin e madh në veri: Arrestohen 9 zyrtarë, sekuestrohet armatim, telefona e plomba

E publikuar: 18/11/2023 12:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dhënë detaje për aksionin në veri të vendit, ku tha se u kryen kontrolle në 11 lokacione nga dogana e që është mbështetur prej policisë, ku janë arrestuar nëntë zyrtarë e është sekuestruar armatim, telefona e plomba.

Sipas Prokurorisë Speciale, kontrolli është bërë me qëllim të mbledhjes së provave dhe ndalimit të nëntë zyrtarëve për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”.

“Gjatë këtij aksioni janë grumbulluar prova që mbështesin dyshimin se këta nëntë (9) zyrtarë, tetë (8) nga të cilët janë zyrtar të Doganës dhe një (1) zyrtar policor nga Policia kufitare, kanë qenë të përfshirë në veprat për të cilat dyshohen”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se gjatë këtij aksioni janë sekuestruar 10 plomba zyrtare të Doganës, 10 telefona bashkë me katër kartela, një pistoletë me tre karikatorë dhe 9 fishekë dhe 16 copa municion jo zyrtar.