D+ dhe Çohu dyshojnë se pas dy OJQ-ve qëndrojnë partitë politike

E publikuar: 11/06/2017 00:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Demokracia Plus dhe Çohu përmes një komunikate për media kërkuan nga KQZ-ja dhe organet tjera që të përkujdesen për mbarëvajtjen e zgjedhjeve që të kenë vëmendje të shtuar në raport me vëzhguesit e Institutit Rajonal për Demokraci të Drejta të Njeriut dhe Studime Politike dhe Institutit për Studime Ndërkombëtare, pasi dyshojnë se prapa këtyre organizatave mund të qëndrojnë subjektet politike.

Ato njëherësh u bëjnë thirrje organeve kompetente që të bëjnë hetime në lidhje me këto organizata dhe nëse vërtetohet se kanë bërë shkelje ligjore të merren masa ndaj tyre.

Duke përkujtuar se për dallim nga zgjedhjet e mëhershme, vërehet që organizata të ndryshme jo-qeveritare që nuk zhvillojnë pothuajse asnjë aktivitet, kanë akredituar një numër të madh të vëzhguesve, D+ dhe Çohu thonë se në këtë aspekt kanë vërejtur që Instituti Rajonal për Demokraci të Drejta të Njeriut dhe Studime Politike ka akredituar rreth 4500 vëzhgues dhe Instituti për Studime Ndërkombëtare rreth 880 vëzhgues.

“Instituti Rajonal për Demokraci të Drejta të Njeriut dhe Studime Politike është i klasifikuar si tatimpagues jo-aktiv nga ATK, andaj duke pasur parasysh që monitorimi i zgjedhjeve në një shkallë të tillë kërkon resurse njerëzore dhe financiare, dhe duke ditur që prapa këtyre organizatave nuk qëndron asnjë donator që zakonisht mbështet aktivitete të tilla për OJQ, dyshojmë që prapa këtyre organizatave qëndrojnë subjektet politike”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër D+ dhe Çohu konsiderojnë se 5385 vëzhgues janë të mjaftueshëm sa për të pasur nga të paktën dy apo tre anëtarë në secilin vendvotim dhe se kjo, sipas tyre, në kohën e numërimit të votave mund të jetë një rrezik i madh për integritetin elektoral, transmeton kp.

D+ dhe Çohu respektojnë lirinë e asocimit dhe angazhimin qytetar për mbikëqyrjen e zgjedhjeve, gjë në të cilën janë të angazhuar aktivisht me 30 vëzhgues, mirëpo tërheqin vërejtjen e rrezikut që mbrapa OJQ-ve fantome qëndrojnë parti politike.