Cramon bashkë me tre eurodeputetë letër Serbisë: Thellësisht të shqetësuar me situatën e shqiptarëve në Serbi

E publikuar: 31/05/2024 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka publikuar një letër në të cilën Viola von Cramon, Rainer Wieland, Michael Gahler dhe Thijs Reuten, që të katërt eurodeputetë, i kanë shkruar një letër kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq.

Në këtë letër, katërshja evropiane janë shprehur të shqetësuar me situatën e shqiptarëve në Serbi, gjegjësisht në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

“Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Konçulit më 2001, ka pasur përkushtime për të adresuar ankesat dhe për të përmirësuar kushtet e pakicës shqiptare në këtë rajon. Është qenësore që këto marrëveshje jo vetëm të pranohen, por edhe të zbatohen në tërësi për të garantuar të drejtat dhe mbrojtjen e pakicës shqiptare”, thonë katër eurodeputetët në këtë letër të publikuar nga deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Ai këtë letër e quajti “ditë të rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës”.

Kamberi pati një falënderim të madh për Qeverinë e Kosovës, “në veçanti Kryeministrin Albin Kurti dhe Zv. Kryeministrin Besnik Bislimin, për mbështetjen e tyre të çmuar dhe vizionin e tyre në proceset lobuese për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

“Sot, më shumë se kurrë, duhet të jemi të bashkuar për të siguruar një të ardhme më të mirë për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha Kamberi.

Në letër shtohet se “është e mirë-dokumentuar, veçanërisht në dekadën e fundit, që pakica shqiptare vazhdon të përballet me forma të ndryshme të diskriminimit, përfshirë procesin e ashtuquajtur të ‘pasivizimit’, qasjen e kufizuar në edukim, mundësitë për punësim dhe kujdesin adekuat shëndetësor”.

“Një mekanizëm kyç i ngritur për të lehtësuar dialogun dhe për të adresuar brengat e shqiptarëve është Organi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Megjithatë, është qenësore që ky organ të funksionojë në mënyrë të efektshme dhe efiçiente për t’i shërbyer qëllimit në përfaqësimin e interesave të komuniteteve pakicë”, thotë më tej letra e hartuar nga katërshja Vioa von Cramon, Rainer Wieland, Michael Gahler dhe Thijs Reuten.

Eurodeputetët kërkojnë nga qeveria e Serbisë dhe autoritetet tjera relevante t’i japin prioritet të drejtave të pakicave dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të adresuar këto çështje.

Ndër kërkesat e tyre janë zbatimi i të gjitha marrëveshjeve për adresimin e brengave të ngritura nga pakica shqiptare, funksionalizimi i Organit Koordinues, mundësitë e barabarta dhe qasja në shërbime esenciale, dhe riparimin e procesit të “pasivisimit” i cili thonë se çoi në uljen e konsiderueshme të popullsisë shqiptare në listat zgjedhore.

“Kërkojmë me ngulm që t’i jepni prioritet kësaj çështje dhe të ndërmerrni hapa të menjëhershëm për të adresuar brengat e ngritura nga pakica shqiptare. Mbrojtja e të drejtave të pakicave është esenciale për përparimin afatgjatë të shoqërisë serbe dhe arritjen e paqes së shëndetshme në Ballkanin Perëndimor”, përfunduan letrën katër deputetët evropianë.