Çka shkruhet në tabelën që Serbia thotë se do të jetë në pikat kufitare me Kosovën?

E publikuar: 27/08/2022 23:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Serbia thotë se marrëveshja e arritur me Kosovën për dokumentet identifikuese do të zbatohet me kushtin e tyre.

Aleksandar Vuçiq, në adresimin e tij të ditës së sotme, tha se është gati që të pranojë dokumentet kosovare, por vetëm nëse në pikat kufitare vendosen tabela ku thuhet se kjo nuk nënkupton se po e njohin Pavarësinë e Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë një shpallje të përgjithshme dhe ta vendosim nëpër vendkalimet administrative, presim garancitë e BE-së, dhe në to do të shkruajë se mundësohet përdorimi i dokumenteve personale të lëshuara nga ana e Prishtinës ekskluzivisht për arsye praktike për të mundësuar lirinë e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur njëanshëm të Kosovës”.

Një gjë të tillë e ka ripërsëritur edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili madje ka treguar edhe tekstin që, sipas tij, do të shfaqet në këto tabela.

“Mundësimi i përdorimit të letërnjoftimeve të lëshuara nga Prishtina (Kosova) bëhet vetëm për arsye praktike për të mundësuar lirinë e lëvizjes, në përputhje me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes të arritur në dialogun e vitit 2011. Nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Klankosova.tv i ka shkruar edhe Qeverisë së Kosovës për të kuptuar nëse Prishtina zyrtare e ka pranuar vendosjen e tabelave të tilla si pjesë të marrëveshjes për dokumentet identifikuese, por nuk ka marrë përgjigje.

Në ndërkohë kryeministri Albin Kurti është deklaruar rreth kësaj ujdie, por nuk i ka përmendur këto tabela që Serbia insiston se do të vendosen në pikëkalime kufitare.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Ato s’i ka përmendur as kryediplomati evropian, Josep Borrell, i cili me plot entuziazëm njoftoi për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë pas disa ditësh negociata e takime.

“Kemi një marrëveshje. Në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për poseduesit e dokumenteve të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i kërkojë ato për poseduesit e dokumenteve të Serbisë”, ka shkruar ai në Twitter./Klankosova.tv