Çka përmban modeli i Belgjikës Lindore, që po shihet si version i Asociacionit në Bruksel dhe Paris?

E publikuar: 21/01/2023 15:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një nga modelet e cila po qarkullon në qarqet diplomatike në Bruksel dhe Paris si version i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është ai i Belgjikës Lindore, i njohur si “Ostbelgien”.

Kështu të paktën përgjatë ditës raportoi ‘Demostat’, ndërsa po ndiqen edhe shembujt e Ishujve Aland dhe ajo e Tirolit Jugor.

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po kërkon nga Kosova të përmbushë detyrimet ligjore për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe sa më shpejt të jetë e mundur.

Escobar ka ‘thumbuar’ Kurtin duke thënë se një person apo palë nuk mund t’i shmanget obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe se themelet e Asociacionit do të fillojnë të vendosen që nga ky muaj.

“Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz, që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit. Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave, apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese. Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë. Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare e pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë”, deklaroi ai.

Themelimi i Asociacionit si e domosdoshme u pa nga pesë emisarët përgjatë vizitave të tyre në Prishtinë e Beograd.

Por, çfarë është modeli i Belgjikës Lindore?

Gjuha gjermane përdoret në shërbimin civil, në shkolla dhe në gjykata. Komuniteti gjermano-folës shtrihet në pjesën lindore të Belgjikës, duke mbuluar një sipërfaqe prej 854 kilometra katrorë përgjatë kufijve të vendit me Gjermaninë, Holandën dhe Luksemburgun.

Ky komunitet në Belgjikë përfshin nëntë komuna, ka asamblenë, qeverinë dhe flamurin e saj.

Falë sistemit politik shumë të decentralizuar të Belgjikës, “Ostbelgien” ka gjithashtu aftësinë për të vënë veton ndaj traktateve ndërkombëtare, duke përfshirë marrëveshjet tregtare të BE-së.

Rreth 77,000 njerëz jetojnë në nëntë komunat e DG-së, në kryqëzimin e dy kulturave, gjermane dhe latine.

Ky model kompetencat politike në masë të madhe i zhvendosë në sektorë të tjerë, siç janë sistemi arsimor, sistemi i drejtësisë, siguria, etj. Megjithatë, modeli belg ka edhe kompetenca politike, ku të gjitha së bashku i bëjnë të domosdoshme edhe ndryshimet kushtetuese, pasi që si rajon ka fuqi legjislative dhe e ruan një autonomi të gjerë me një parlament, një qeveri dhe një shërbim civil.

Drejtoria e Përgjithshme atje është përgjegjëse kryesisht për çështjet kulturore, arsimin, formimin profesional, punësimin, familjen dhe mirëqenien sociale, si dhe mbikëqyrë autoritetet lokale.

Po ashtu, Kushtetuta e Belgjikës perfshinë krijimin e zonave gjuhësore, te cilat kanë kompetenca në shumë fusha.

Neni 4 i Kushtetutës së Belgjikës thotë: “Belgjika përbëhet nga katër zona gjuhësore: zona e gjuhës gjermane, zona e gjuhës frënge, zona e gjuhës holandeze dhe zona dygjuhëshe Bruksel – Kryeqytet”. /Demokracia.com/

AsociacioniBelgjika LindoreGabriel Escobar