Çitaku Flet për Shoferin e Saj që Akuzohet për Trafikim me Armë

E publikuar: 01/03/2018 23:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Albert Veliu, që ishte shofer në Ambasadën e Kosovës në SHBA, kishte vozitur amabasadoren Vlora Çitaku thuajse çdo ditë.

Veliu, një punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, akuzohet nga Departamenti i Drejtësisë se ka qenë kontrabandues armësh, tregtar droge dhe pastrues parash, duke ruajtur lidhjet me organizatën kriminale Cosa Nostra dhe figurat shqiptare të krimit të organizuar në Nju Jork dhe Republikën Çeke.

Në një intervistë për emisionin ‘Jeta në Kosovë’, Çitaku rrëfeu momentin kur kishte kuptuar për këtë akuzë.

“Ka qenë shok, ka qenë një nga momentet më shokuese që kam mundur ta përjetojë në cilësinë e ambasadores. Më ka shkuar ndër mend sa herë unë kam qenë në veturë me atë njeri, pothuajse çdo ditë, kur kam qenë në Neë York… më ka shkuar mendja që mund të ketë pasur armë në veturë, që mund të ketë pasur drogë”, tha Çitaku.

Mirëpo ajo tha se u ndje e lumtur kur kuptoi se në hetim kishte qenë e përfshirë edhe Policia e Kosovës.

“Për aq sa unë kam marrë vesh pastaj, ne kemi hyrë dhe e kemi kontrolluar dosjen e tij. Alberti kur është punësuar ka sjellë vërtetimin që nuk është në hetime, ai është shtetas amerikan. Mirëpo i vetmi element lehtësues në këtë rrëfim ka qenë që Policia e Kosovës ka qenë e përfshirë në hetimin ndaj tij që nga fillimi”,tha Çitaku.

Përballë Jeta Xharrës Çitaku flet po ashtu për takimin e saj me Presidentin e SHBA-ve, aferën ‘Pronto’ dhe çështje të tjera.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: