Cevolli: Është vetëm fillimi. Milinkovic: S’e meritonim humbjen

E publikuar: 17/10/2016 22:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri i Teutës, Roberto Cevolli, foli për mikrofonin e Supersport, në përfundim të sfidës me Luftëtarin, ku u shpreh i kënaqur me fitoren e arritur dhe nuk harron të bëjë një apel edhe për tifozët.

“Duhet të kemi kohë për t’u transmetuar idetë e mija djemve. Lojtarët më ndihmojnë dhe më kanë treguar se janë të gatshëm për të mësuar sa më shumë. Është vetëm fillimi dhe kemi ende shumë për të punuar. Ndaj Vllaznisë kemi një ndeshje shumë të vështire. Kampionati është shumë i ekuilibruar, të gjithë mund të fitojnë kundër të gjithëve. Çdo ndeshje është një histori më vete por ne duhet të nisemi nga ndeshja e sotme për të arritur te rezultati pozitiv. Kemi shumë nevojë për tifozët dhe i ftoj që në të ardhmen të jenë edhe më shumë sepse na nevojitet prania e tyre. Objektivi i klubit është që të japim maksimumin por nuk është e vërtetë që jemi skuadër e njëjtë me sezonin e shkuar sepse janë larguar 3-4 lojtarë të rëndësishëm.”

Nga ana tjetër, trajneri i Luftëtarit, Mladen Milinkovic u shpreh:

“Nuk jam dakort që pjesët ndryshonin. Bëmë gabime në rastet e golave të tyre dhe skuadra që shënon më shumë arrin të fitojë në futboll. Zhvilluam një ndeshje shumë të mirë por nuk gjetëm dot mënyrën për të shënuar. Në pjesën e parë kishim shumë raste, por krijuam edhe në pjesën e dytë. Humbëm ndaj një kundërshtari direkt. Ishte një ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat por nuk mendoj se e meritonim të humbisnim. E uroj Teutën për këtë fitore. Gjitnmonë pësojmë gola për shkak të gabimeve tona dhe shpresoj që t’i korrigjojmë. Kur i dhuron një gol kundërshtarit, më pas është shumë e vështirë të luash. E rëndësishme në futboll që të jesh i saktë në zonën e rreptësisë. Vendosëm të luanim me Reginaldon sepse Montero nuk arrin të përshtatet në fusha të tilla ku duhet të jesh më i fuqishëm fizikisht.”/supersport.al/