Ish-presidenti i Serbisë dhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Boris Tadiq, ka thënë se nuk do ta nënshkruante propozimin franko-gjerman. Ai theksoi se absurditeti më i madh është se qeveria e Aleksandër Vuçiqit e humbi Kosovën në paqe.
“Përgjegjësia e kësaj qeverie për pozitën e Serbisë sot në kontekstin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës është e madhe dhe po të kemi parasysh se të njëjtat opsione kanë qenë në pushtet në vitet nëntëdhjetë, sigurisht që mund të flasim edhe për përgjegjësi historike. Natyrisht, e kam parasysh se përgjegjësinë më të madhe historike e kanë ata që kanë mundur të vendosin për këtë çështje para viteve 1990, e sidomos para Kushtetutës së vitit 1974. Gjatë viteve 1990 Serbia e humbi Kosovën në luftë, dhe është absurde që e ka humbur në dekadën e fundit dhe në paqe”, tha Tadiq për Nova.
Tadiq tutje tha se nuk do ta nënshkruante propozimin franko-gjerman.
“Do të ishte e papërgjegjshme që unë t’i përgjigjesha qartë kësaj pyetjeje, ndërkohë që ende nuk e dimë tekstin përfundimtar që do të ofrohet për nënshkrim. Atë që kam parë deri tani dhe çfarë është shfaqur në publik, nuk do ta firmosja. Dhe ndryshe nga të tjerët, këtë nuk e them në mënyrë demagogjike, por qëndroj me pjesën time pas, pasi nuk pranova të nënshkruaj atë që më vonë u nënshkrua nga kjo qeveri si Marrëveshja e Brukselit”.
Sipas tij, nëse Sebria e pranon këtë propozim, do të jetë e vështirë që të parandalohet anëtarësimi i Kosovës më OKB.
“Nëse një marrëveshje nënshkruhet brenda kornizës që po diskutohet sot në qarqet publike dhe ndërkombëtare, do të jetë shumë më e vështirë. Pothuajse e pamundur. Kjo qeveri, sot është e qartë, duhet të ketë qenë e vetëdijshme për kërkesat që do t’i shtrohen Serbisë për të paktën disa muaj dhe nuk ka bërë asgjë për ta penguar atë. Ju kujtoj se edhe në shtator në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Vuçiq nuk ka thënë një herë në fjalimin e tij se anëtarësimi i Kosovës në OKB është i papranueshëm për Serbinë.
Dhe kjo ishte absolutisht e nevojshme, sepse ai e dinte që atëherë se pikërisht ai anëtarësim do të vendosej si kërkesë në propozimin e “pesës”. Është e padiskutueshme që kjo qeveri pranoi një qëndrim pasiv në rrethana historike në të cilat pati mundësi të bënte një kthesë me politikë aktive, lobim dhe një ofensivë të fortë diplomatike”.
Ai foli edhe për atë nëse nënshkrimi i këtij propozimit do të mund t’i japë fundin jetës politike të Aleksandër Vuçiqit në Serbi.
“Në këtë kuptim, jo i gjithë faji mund t’i hidhet Vuçiqit, sepse është joreale të pritet që Vuçiq ta zëvendësojë veten. Ai është po aq i fortë sa opozita dhe është po aq manipulues sa pranojnë qytetarët të manipulohen. Dhe prandaj duhet të merremi me veten, jo me Vuçiqin.
Është e pakuptueshme që sot, sipas modelit të propagandës së Vuçiqit, disa liderë opozitarë të barazojnë mbështetjen për këtë marrëveshje me integrimin evropian. Është një mashtrim i drejtpërdrejtë i qytetarëve, nga i cili vetëm Vuçiqi përfiton. Pas këtyre zgjedhjeve, për fat të keq, është e qartë se me disa prej tyre nuk është një gabim i pavetëdijshëm nga injoranca, por një bashkëpunim i vetëdijshëm me regjimin. Ashtu si Vuçiqi është servil ndaj Perëndimit për çështjen e Kosovës, këta liderë janë po aq servil ndaj Vuçiqit dhe ky është kurthi në të cilin gjendet shoqëria serbe në dekadën e fundit”, tha ai.
Po ashtu, Tadiq tha se është e qartë që askush nuk po e kërcënon Serbinë me sanksione dhe izolim.
“Arritëm atje sepse ishte vetëm çështje kohe kur do të dilte ajo gënjeshtra tragjikomike se në këtë qeverisje Serbia “nuk përkulet më” dhe se “ka rifituar reputacionin e saj në botë”. Sigurisht që është treguar se të gjitha ato thashetheme shumëvjeçare, ku presidenti e deklaron veten ujk, dhe përparimtarët janë ujqërit e tij, ishin të rreme. Një ditë deklarohet ujk, të nesërmen thotë hapur se është i pafuqishëm dhe ankohet se Serbia gjatë mandatit të tij ka dhënë gjithçka dhe nuk ka marrë asgjë. Megjithatë, është e sigurt se askush nuk po e kërcënon Serbinë me sanksione dhe izolim dhe ky është një mashtrim i qëllimshëm i qytetarëve për të justifikuar lëvizjet e radhës, gjë që u konfirmua edhe nga ambasadorët e vendeve pjesëmarrëse në hartimin e propozimit”.