Bob Dylan po kthehet në dhimbje koke për Komitetin e Nobelit. Kantautori legjendar amerikan nuk do të udhëtojë drejt Stokholmit për ta marrë personalisht çmimin e letërsisë të akorduar muajin që shkoi.
Dylan citohet të ketë thënë se ndihet i nderuar dhe se do të donte të ishte i pranishëm në ceremoni, por këtë nuk e ben dot për shkak të angazhimeve të percaktuara më parë.
Këngëtarit i kërkohet ta tërheqë çmimin deri në muajin qershor. Mungesa nuk do ta bënte sidoqoftë 75-vjeçarin të parin laureat jo prezent në eventin e dhënies së çmimit prestigjoz e të shumëlakmuar.
Harold Pinter dhe Doris Lessing, fitues të Nobelit të Letërsisë në vitet 2005 dhe 2007 janë në mesin e fituesve që kanë bërë të njëjtën gjë.
Çmimi për çdo rast vazhdon të jetë i tyri, ashtu siç vazhdon të jetë dhe i Bob Dylan – thuhet në deklaratën e lëshuar prej akademisë suedeze.
Fitorja e Dylan u kthye në një subjekt të jashtëzakonshëm diskutimi pas shpalljes së saj, ashtu siç ndodhi dhe me heshtjen e tij, të interpretuar si shenjë e mëdyshjes së artistit mbi çmimin në fjalë.
Ylli veteran i rokut njihet si muzikant i jashtëzakonshëm, por edhe si penë e fuqishme. Komiteti i Nobelit në motivacionin e çmimit përmendte pikërisht faktin që zgjodhi të nderonte një zë origjinal në peisazhin amerikan të artit, një forcë krijuese e cila ka influencuar një zhanër të tërë muzikor dhe ka përcjellë në vargje e tinguj eksperiencën e një brezi. Vendimi u konsiderua po aq radikal sa edhe vetë vepra e Bob Dylan.