Në përpjekje për të siguruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ia mësyu Rejkjavikut në fillim të muajit për t’u kërkuar autoriteteve të Islandës që ta shtyjnë përpara aplikimin e Kosovës. Dosja e Kosovës ndodhet që nga maji i vitit të kaluar në Strasburg, por sipas Presidencës Islandeze, ende nuk ka një datë kur Komiteti I Ministrave do ta fusë në rend dite.
Islanda, që kryeson Presidencën e Këshillit të Europës, në një përgjigje për Gazetën Express, ka treguar për tërë procesin nëpër të cilin është duke kaluar aplikimi i Kosovës dhe synimin e saj për ta çuar përpara këtë çështje.
Ministria e Punëve të Jashtme e Islandës thotë se Komiteti i Ministrave si organ vendimmarrës i KiE aktualisht po ndjek një qasje hap pas hapi me çështjen e Kosovës.
“Aplikimi zyrtar nga Kosova për anëtarësim në Këshillin e Europës u pranua më 12 maj 2022 dhe iu shpërnda të gjitha delegacioneve të nesërmen. Kërkesa tashmë është duke u shqyrtuar nga Komiteti i Ministrave, në përputhje me rregullat përkatëse, me synimin për ta përcjellë atë në Asamblenë Parlamentare”, thotë MPJ islandeze.
Dialogu me Serbinë ka rol edhe në mbarëvajtjen e procesit të anëtarësimit në KiE. Për këtë arsye, Komiteti i Ministrave ka shkëmbyer pikëpamjet me emisarin europian, Miroslav Lajçak, që po kryeson bisedimet në Bruksel.
“Në shtator 2022, Komiteti mori një opinion ligjor për këtë çështje. Komiteti i Ministrave ka mbajtur gjithashtu një shkëmbim pikëpamjesh me z. Miroslav Lajçak, Përfaqësues Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe ka dëgjuar një raport nga znj. Dunja Mijatoviq, Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, mbi situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë”.
Vetë Islanda thotë se është e mendimit që të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të përfitojnë nga organizata europiane e të drejtave të njeriut, prandaj do të shtyjë përpara aplikimin e Kosovës deri në përfundimin e mandatit të saj në maj të këtij viti.
“Islanda është ndër 34 shtetet anëtare të Këshillit të Europës që e kanë njohur Kosovën dhe ne besojmë se të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë duhet të përfitojnë nga standardet europiane për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Gjatë presidencës së saj, Islanda ka mbajtur konsultime të gjera me të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Europës se si të procedohet më mirë me aplikimin e Kosovës. Aplikimi i Kosovës trajtohet sipas rregullave dhe procedurave të organizatës”.
Presidenca islandeze zotohet se do të qëndrojë në kontakt të ngushtë me të gjitha shtetet anëtare “me synimin për të vazhduar me këtë çështje sa më shpejt të jetë e mundur dhe në përputhje të plotë me rregullat ekzistuese”.
Megjithatë, ajo tha se nuk ka ende një datë të caktuar që aplikimi të futet në rendin e ditës të Komitetit të Ministrave.
Gazeta Express ka kontaktuar edhe Këshillin e Europës nëse ka ndonjë datë të caktuar se kur Kosova do të hyjë në agjendën e Komitetit të Ministrave, por në vazhdimësi thotë se diskutimet e këtij organi janë konfidenciale dhe se nuk kanë informacion shtesë mbi aplikimin e Kosovës.
Mbi këtë proces, së fundi, ka pasë raportime se futja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE do të pengohet për shkak të qëndrimit të Kosovës në procesin e dialogut. Këto raportime erdhën në kohën kur kryeministri Kurti hezitoi të pranonte planin e përditësuar dhe final të Bashkimit Europian për shkak të pikës së Asociacionit.
Në hijen e fushatës së diplomacisë serbe për të penguar synimin e Kosovës në KiE, deri më tani Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka deklaruar në vazhdimësi se procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës është në rrugën e duhur dhe se ka përkrahje nga shtetet anëtare.
Për të kërkuar mbështetje për anëtarësim në KiE, para disa ditësh në Rejkjavik qëndroi për vizitë zyrtare shefja e shtetit, Vjosa Osmani, e cila tha se kryefjalë në takimet e saj me krerët e shtetit islandez ishte aplikimi në Këshill të Europës.