Bllokimi i fondeve evropiane me fajin e qeverisë

E publikuar: 14/09/2016 17:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vendimi i Gjykatës Evropiane të Revizionit, e cila rekomandon uljen apo anulimin e shumë projekteve financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë, shihet si alarm i fundit për institucionet për konsolidimin e kapaciteteve administrative, stabilitetin politik dhe financiar, që të mund të ruajnë humbjen e mëtejmë të fondeve evropiane, që vlerësohen si shumë të rëndësishme për ekonominë e Maqedonisë.

Institucionet hezitojnë të komentojnë vendimet e tilla të BE-së, duke i minimizuar ose duke i mohuar, por në anën tjetër njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se humbja e fondeve të tilla është me fajin e drejtuesve të institucioneve.

Në vendimin e Gjykatës Evropiane të Revizorëve, që e publikojnë shumë media, thuhet se rekomandimi bëhet për shkak të konstatimit të revizorëve se në vendet e Ballkanit Perëndimor shumë pak është bërë në sferën e reformave në gjyqësor, lirinë e medieve, në parandalimin e korrupsionit dhe krimin e organizuar.

“Bëhet fjalë për një raport të Gjykatës Evropiane të Revizionit, që kryesisht ka të bëjë me kapacitetet administrative të ndihmës së BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë.”

“Sa i përket Maqedonisë, ky rekomandim është vazhdimësi e vendimeve të dy tre muajve të fundit kur u anuluan rreth 20 projekte me një vlerë prej mbi 27 milionë euro. Mendoj se institucionet duhet të gjejnë mekanizma që të mos humben projektet, pasi kjo do të ketë pasoja për vendin meqë rrezikojmë humbjen edhe të shumë projekteve tjera nëse nuk kemi konsolidim dhe efikasitet të institucioneve për të menaxhuar si duhet që gjithë ndihmën e BE-së”, thotë Aleksandar Kolevskinga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian.

Bekim Kadriu, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Tetovës, thotë se vendimi i Gjykatës Evropiane të Revizorëve, por edhe vendimet e mëparshme për ndërprerjen e ndihmave, apo projekteve në kuadër të fondeve IPA, kanë të bëjnë me mungesën e stabilitetit politik dhe paaftësinë e institucioneve për zbatimin e reformave të kërkuara,shkruan REL.

“Kriza politike ka kohë që ekziston në Maqedoni, ajo vazhdon tani një vit e gjysmë, që e bllokon funksionimin e institucioneve. Tanimë është evidente se procesi i reformave edhe në pushtetin gjyqësor është i bllokuar, pasi institucionet nuk kanë kapacitete, pasi ato tani po përgatiten edhe për zgjedhje, por edhe një vit e gjysmë më parë, ne nuk kishin stabilitet të institucioneve, kapacitet për një jetë të rëndomtë në kushte demokratike”, thotë Kadriu.

Ai vlerëson se anulimi apo bllokimi i fondeve të BE-së bëhet edhe për shkak të keqpërdorimit të fondeve, që janë vlerësuar nga shumë raporte mbi dështimin e projekteve për realizimin e të cilëve BE-ja kishte ndarë mjete financiare, por ato ose nuk janë keqpërdorur, ose fare nuk kanë nisur të realizohen.

Kadriu thotë se këto vendime, që janë pasojë e politikave të këqija qeveritare, do të kenë pasoja edhe në raportin e radhës të progresit të Komisionit Evropian.

“Kjo ndikon që institucionet e Bashkimit Evropian të ndërmarrin masa të këtilla që mund të reflektohen jo vetëm tek pengimi i këtyre mjeteve, por mund të reflektohen edhe tek raporti i progresit, i cili jam i bindur se do të jetë shumë negativ për Maqedoni dhe faktori kryesor për këtë do të jetë kriza politike”, thotë Bekim Kadriu, profesor i së drejtës ndërkombëtare.

Se çfarë projekte mund të anulohet ende nuk dihet, por bazuar në bllokimin e deritanishëm të projekteve nga fondet IPA, ekspertët nuk e përjashtojnë mundësinë që infrastruktura të jetë sërish në qendër të vëmendjes, pasi pikërisht në këtë sferë janë bërë keqpërdorimet më të mëdha.