Sot, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, priti në takim Ndihmëssekretaren e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, njëkohësisht Drejtoresha Rajonale e UNDP-së për Evropën, Ivana Zhivkoviq.
Bashkë diskutuan rreth bashkëpunimit të qeverisë me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), ku u përmendën iniciativa konkrete për të përmirësuar sektorë kyç dhe për të forcuar kapacitetet institucionale, transmeton Klankosova.tv.
“Procesi i integrimit evropian të Kosovës ishte po ashtu temë fokus e takimit, ku zëvendëskryeministri theksoi punën e qeverisë rreth Planit të Rritjes i cili edhe u miratua në mbledhjen e 223-të të qeverisë të javës së kaluar, dhe avancimi e zhvillimi ekonomik që ka njohur vendi në tri vite e gjysmë të mandatit tonë qeveritar”, thuhet në kumtesën për media.
Zëvendëskryeministri vuri në pah edhe rëndësinë e reformave kyçe për përparimin e mëtejshëm drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Në këtë takim, Zhivkoviq shoqërohej dhe nga shefi i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, Nuno Queiros dhe zëvendësi i tij, Dudley Tarlton.