Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se progresi në procesin e integrimit evropian të Kosovës nuk ka qenë asnjëherë më parë më i madh, sesa tash.
Bislimi, në një postim në Facebook, ka shkruar se ajo që nuk realizohej për më shumë se një dekadë, u jetësua brenda mandatit të kësaj qeverie.
“Përtej nivelit të lartë të zbatimit të reformave dhe avancimit në agjendën e tyre, në përmbajtje të saj kanë qenë dhe reformat të cilat nuk zbatoheshin me vite. Kjo, konstatohej si pikë negative apo pengese edhe në vetë raportet e mëparshme të Komisionit Evropian. Në pak kohë, shumë punë të lëna në harresë nga pozita e atëhershme dhe opozita e sotme, gjetën epilog. Shumë prej tyre, përveçse sundimin e ligjit, preknin edhe luftimin e korrupsionit. Kjo e shqetësonte dhe brengoste pushtetin e dikurshëm: transparenca dhe llogaridhënia”, shkruan Bislimi në Facebook.
Ai numëron disa nga reformat të cilat, sipas tij, me raste,kishin edhe më shumë se një dekadë që nuk miratoheshin dhe zbatoheshin:
Pakoja e tre ligjeve kundër korrupsionit: Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Ligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave dhe Ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore;Ligji për financimin e partive politike; Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme; Rregullorja e Kuvendit të Kosovës; Terminalet doganore private nuk ishin në harmoni me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe ne kaluam drejt kalimit gradual nga ato private në ato publike, numëron ndër të tjera Bislimi.