Bien të ardhurat dhe investimet në sektorin e komunikimeve elektronike

E publikuar: 10/06/2019 16:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Të ardhurat nga sektori i komunikimeve elektrike vijuan me rënie për vitin e katërt me radhë në Shqipëri në 35,241 milionë lekë në 2018-ën, një rënie me 4% krahasuar me 2017.

Pjesën më të madhe të tyre e zënë shërbimet celulare me 26,848 milionë lekë, një rënie me 10% krahasuar me 2017-ën ku të ardhurat ishin 29,740 milionë lekë.

Të ardhura për 2018-ën ishin aq sa të ardhurat e Plus Communication për vitin 2017 sipas raportit vjetor të AKEP.

Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rënien e të ardhurave kanë qenë rënia e të ardhurave nga terminimi i thirrjeve ndërkombëtare dhe dalja e Plus Communication nga tregu.

Këto të ardhura ndahen me Vodafone Albania me 43% të tyre, Telekom Albania me 25% të tyre, ALBtelecom Mobile me 11% të tyre dhe ALBtelecom Fiks me 12% të tyre.

8% e të ardhurave të ngelura ndahen me operatorëve të tjerë të komunikimeve eletronike.

Të ardhurat e operatorëve celularë

Të ardhurat e të tre operatorëve nga rrjetet celulare janë në të njëjtat nivele si të 2017-ës.

Përsa i përket të ardhurave nga shërbimet fikse, operatorët alternativë kanë shënuar rritje me 32% ndërsa ALBtelecom me 4%.

Të ardhurat totale me pakicë për 2018-ën ishin 17.6 miliardë lekë, një rritje me 2% krahasuar me 2017. Të tre operatorët, Telekom Albania, ALBtelecom Mobile dhe Vodafone Albania ka shënuar rritje me 5%, 9% dhe 10% respektivisht duke absorbuar efektin e daljes nga tregu të Plus.

Rënie të madhe kanë pasur të ardhurat nga shërbimet me shumicë. Telekom Albania raportoi rënie me 17%, Vodafone Albania me 16% dhe ALBtelecom me 6%.

Tkurrja e të ardhurave me shumicë ka ardhura për shkak të rënies së madhe të terminimit ndërkombëtar me 31% dhe thirrjeve kombëtare me 28%. Këta dy indikatorë kanë peshë të madhe në fitimet e kompanive celulare.

Vodafone ka raportuar fitim neto pozitiv prej 700 milionë lekësh nga 1 miliardë humbje në 2017, ndërkohë dy operatorët e tjerë rezultojnë me humbje. Më të madhen e shënon Telekom Albania me 3,9 miliardë lekë, një përmirësim nga 5.4 miliardë lekë humbje në 2017.

ALBtelecom ka reduktuar humbjet nga 1.1 miliardë lekë në 2017-ën në 330 milionë lekë në 201-ën. Fitimet e ulëta dhe ato negative ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në investimet për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve për konsumatorët fundorë.

Investimet

Gjatë 2018-ës investimet në rrjetet celulare u rritën me 50% duke arritur shifrën 4 miliardë lekë. Rritja është ndikuar nga Telekom Albania e cila rriti investimet me 800 milionë lekë dhe Vodafone me 320 milionë lekë.

ALBtelecom i ka pasur investimet minimale prej 80 milionë lekësh si në 2017-ën. Që nga 2016-ta ka pasur një rënie të konsiderueshme të investimeve në Shqipëri. /PCWorld Albanian