Bëri fushatë kundër Kosovës në “tri shtete proruse”, Daçiq: Shkova me pajtimin e Vuçiq

E publikuar: 09/04/2023 23:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryediplomati serb Ivica Daçiq me t’u kthyer nga vizita në vendet aziatike që cilësohen proruse, i është përgjigjur Blerim Velës, shefit të stafit të Presidentes së Kosovës i cili tha se Serbia po e shkel marrëveshjen e Ohrit. Daçiq ka thënë se keto vende i kanë pohuar se nuk do ta ndryshojnë qëndrimin për mosnjohjen e Kosovës.

Serbia po i jep shenja Perëndimit që nuk është në një vijë me politikën e jashtme të Kremlinit. Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq ka vizituar tre vende të Azisë Qendrore të cilat janë nën ndikimin rus duke çuar mesazhe që janë në kundërshtim me marrëveshjen e Ohrit.

Blerim Vela, shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani përmes një postimi në Tëitter të shtunën, ka deklaruar se qëllimi i Beogradit është të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare – diçka që është në kundërshtim me planin evropian për dialogun Kosovë – Serbi, ku Beogradi zotohet që nuk e pengon Kosovën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

“Daçiq po viziton vendet që janë nën sferën e ndikimit rus. Një veprim i dëshpëruar për të minuar zbatimin e nenit 4 të marrëveshjes me Kosovën. Serbia do të shkelë nenin 4 nëse voton kundër anëtarësimit Kosovës në organet ndërkombëtare. Së shpejti do të vihet në provë”, kishte shkruar Vela.

Por Daçiq e pranon që vizitat e tij në Kirgistan, Taxhikistan dhe Uzbekistan nuk i ka bërë “kokë në vete”, por me pajtimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Duke i reaguar krye-këshilltarit të presidentes Vjosa Osmani, Daçiq ka thënë se “Kosova po mundohet t’i tregojë Serbi ku të udhëtojë e ku jo.

Sipas tij, këto vizita janë shumë të rëndësishme për Beogradin.

“Nuk e di se në çfarë bote jetojnë ata njerëz kur mendojnë se duhet të vendosin se ku mund të udhëtojnë Serbia dhe ministri i jashtëm i saj dhe ku jo. Kjo vizitë e imja në vendet e Azisë Qendrore i lëndoi vërtet”, ka thënë Daçiq duke iu drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës.

“Kjo është hera e parë që një ministër i Punëve të Jashtme ka vizituar Kirgistanin, Taxhikistanin dhe Uzbekistanin, dhe kjo vizitë është historike. Këta janë miqtë tanë, ekonomitë e tyre po zhvillohen fuqishëm dhe i përkasin një pjese të botës që po fiton të jashtëzakonshme rëndësi gjeopolitike, e cila të gjithë së bashku hap derën për të bashkëpunuar shumë më tepër se më parë”, ka thënë Daçiq, ka raportuar portali në gjuhën serbe kosovo-online.

Pas kësaj Daçiq ka nisur të propagandojë duke thënë se Kosova ushtron dhunë mbi serbët lokalë, mandje ka akuzuar institucionet se asnjëherë “nuk i zbatojnë marrëveshjet e arritura”.

“Autoritetet në Prishtinë asnjëherë nuk mund të presin që të jenë bashkëpunues dhe t’i përmbahen obligimeve që i pranojnë. Ka vite që kemi të bëjmë me njerëz që shkelin të gjitha normat dhe marrëveshjet. Unë nuk pres asnjë qetësim prej tyre, përkundrazi. presin, për fat të keq, që për aq kohë sa të zgjasë dialogu, të përpiqen të ushtrojnë presion sa më të madh, duke përfshirë dhunën ndaj popullatës sonë në Kosovë, sepse nuk duan që serbët e Kosovës të kenë asnjë autonomi dhe mbrojtje”, ka propaganduar ai.

Daçiq njihet për afërsinë politike të cilin e ka me Kremlinin.