Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj është shprehur se dekretimi i datës së zgjedhjeve duhet të shënojë fillimin e një procesi intensiv konsultash dhe llogaridhënie siç tha ai, për të gjithë aktorët politikë, qeveritarë e opozitarë.
Begaj tha se ky proces thelbësor për demokracinë duhet të shndërrohet në shfaqje të mirëfilltë pjesëmarrjeje dhe angazhimi qytetar.
“Legjislaturës X të Kuvendit po i afrohet fundit dhe koha që pushteti të kthehet te zgjedhësit po afron. Ky pushtet i zgjedhësve nuk duhet të reduktohet vetëm në një datë kalendarike që Presidenti i Republikës e cakton për shqiptarët me qëllimin që ata të shprehin vullnetin e tyre”.
“Dekretimi i datës së zgjedhjeve duhet të shënojë fillimin e një procesi intensiv konsultash dhe llogaridhënie për të gjithë aktorët politikë, qeveritarë e opozitarë. Diskutimi i çiltër, i përgjegjshëm, serioz dhe vizionar, duhet të shoqërojë çdo hap të komunikimit të politikanëve me zgjedhësit”, shkroi ai në Facebook.
Ai tha gjithashtu se vullneti politik i zgjedhësve duhet të ngjizet bazuar në debatin e hapur, transparent e konstruktiv, në ballafaqimin civil të alternativave, dhe jo siç u shpreh, “në keqpërdorim të pushtetit administrativ dhe atij zgjedhor, apo në oferta elektorale të paligjshme”.
“Një proces i drejtë elektoral ka hap të parë caktimin e datës së zgjedhjeve, duke u nisur nga interesi më i mirë i zgjedhësve, duke peshuar me paanësi argumentet pro dhe kundër secilës alternativë dhe duke tërhequr në vendimmarrje zërin e një spektri të gjerë aktorësh politikë e institucionalë”.
“Këtij qëllimi i shërben më së miri konsulta e nisur sot, me shpresën dhe urimin që palët e thirrura në konsultë do ta mirëpresin atë me të njëjtin seriozitet, respekt dhe përgjegjshmëri, me të cilën janë ftuar të bëhen pjesë me opinionet dhe sugjerimet e tyre”, shkroi tutje Begaj.