BE-ja e vetëdijshme për synimet e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit

E publikuar: 17/11/2023 15:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se BE-ja pajtohet me deklaratën e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili tha se Rusia mund të krijojë kriza të reja në Ballkan dhe Moldavi në mënyrë që të largojë vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë.

Stano tha se Bashkimi Evropian për një kohë të gjatë ka thënë se Rusia përpiqet për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin ukrainas dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaja, manipulim informatash e gjëra të tjera”, tha Stano, njofton Klankosova.tv.

Zelensky i bëri thirrje BE-së që t’i kushtojë vëmendje Ballkanit, pasi tha “më besoni, ne kemi informacione, Rusia ka një plan të gjatë, shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani”.

I pyetur se a kanë ndonjë informatë specifike nga Ukraina, Stano tha se BE-ja s’i komenton informatat që i shkëmbejnë me partnerët e tyre, e sidomos kur është fjala për diçka specifike si kjo.

“Por, ne i kemi vëzhguar këto aktivitete të Rusisë për një kohë, kemi informata dhe jemi të vetëdijshëm se çka po tenton të bëjë Rusia dhe ne po punojmë me të vërtetë shumë me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor për këtë. Kjo ishte po ashtu një çështje që është ngritur në takimin e ministrave të Jashtëm të Ballkanit Perëndimor me ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së”, tha Stano.