Gjykata Kushtetuese mes tjerash do të ketë objekt shqyrtimi nenin 95, pika 5 të Kushtetutës, me rastin e shqyrtimit të dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e Qeverisë.
GJK-ja ka kërkuar edhe dokumentet, të quajtura “Punime përgatitore” për shkrimin e Kushtetutës para më shumë se 10 vjet, të cilat synon t’i ketë udhërrëfyes në këtë rast, por ekspertë që kanë punuar në to, thonë se bazimi në këto dokumente jozyrtare dhe që nuk dihet nëse janë autentike do të ishte “anim për njërën palë”.
Vetëm pasi është sfiduar dekreti për mandatarin në Presidencë, dokumentet i kanë shkuar Kuvendit nga Arkivi i Kosovës më datën 14, që i bie dy javë pas sfidimit të dekretit të presidentit në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje.
KOHA ka siguruar pjesë të dokumentit përgatitor për hartimin e Kushtetutës ku flitet për mandatarin e Qeverisë. Pas rrëzimit të Qeverisë dhe kryeministrit, aty i jepet rol i theksuar presidentit për caktimin e mandatarit të ri. Dokumenti e ka vetëm një vulë të Arkivit të Kosovës.
“Nëse është votuar mocioni i votëbesimit për kryetarin e Qeverisë apo Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje dhe kryetari i Kosovës emëron mandatarin e ri në afat prej 10 ditësh”, shkruan në atë “punim përgatitor”.
KOHA ka biseduar me njërin prej ekspertëve që ka marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës. Sipas tij, në draftet fillestare është diskutuar neni që i referohet mandatarit të Qeverisë. Ai ka thënë se në fillim është trajtuar mundësia që e drejta e formimit të Qeverisë t’i jepet edhe partisë së dytë apo të tretë. Por, sipas tij, heqja e përgjegjësisë nga ana e Kuvendit për autenticitetin dhe vërtetësinë atyre dokumenteve, dhe mospublikimi i tyre në Gazetën Zyrtare ia pamundëson Gjykatës Kushtetuese që të thirret në to me rastin e nxjerrjes së aktgjykimit.
“Vetëm Kuvendi i Kosovës si autor i Kushtetutës duhet dhe mund ta bëjë një gjë të tillë. Askush tjetër nuk guxon të flet për autenticitetin e tyre. Vetë fakti që qenkan dorëzuar më 14 maj 2020, flet shumë dhe tregon për synimin e Gjykatës për t’i përdorur ato në favor të njërës palë”, ka thënë eksperti i Kushtetutës. Ai ka shtuar se këto dokumente nuk janë burim i së drejtës dhe nuk mund të citohen për vendimmarrje. Sipas njohësit të Kushtetutës, ato eventualisht mund të merren si burim ndihmës për ta orientuar Gjykatën kah një vendim i caktuar. “Në të vërtetë, këtë qëllim e ka pasur Gjykata kur i ka ‘gjetur’ këto dokumente, të cilat nuk kanë asnjë identitet, sepse nuk u dihet autori dhe nuk janë miratuar as publikuar asnjëherë nga një organ kompetent – Kuvendi”, ka theksuar ai.
Duke iu referuar letrës së kryeparlamentares Osmani, eksperti kushtetues thotë se ajo e bën të qartë se ato dokumente nuk kanë asnjë vlerë provuese.
“Siç po shihet, Gjykata i ka ‘zbuluar’ këto dokumente, me qëllim që t’i përdorë sipas propozimeve të asaj kohe, të cilat nuk kanë asnjë autenticitet dhe asnjë autor. Marrja e tyre në posedim nga Gjykata qartë tregon për ndikim në vendimmarrje dhe synimin për të vendosur në favor të një gjoja propozimi kushtetues që i jep të drejtë presidentit për mandatimin e kryeministrit çdoherë kur ka mocion të mosbesimit dhe atë të caktojë afat prej dhjetë ditësh për formim të qeverisë”, ka thënë ai.
29 maji është afati i fundit kur Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë nëse dekreti i presidentit është në përputhje me Kushtetutën.
E në nenin 95, pika 5 të Kushtetutës, ku presidenti Thaçi, është thirrur, thuhet: “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.
Thaçi ka mandatuar Avdullah Hotin nga LDK-ja, parti kjo që ka dalë e dyta në zgjedhjet e fundit. VV-ja si fituese pretendon se vetëm asaj i takon e drejta për formimin e qeverisë.
Qeveria Kurti është rrëzuar me mocion mosbesimi më 25 mars.