Ministrja e Financave Hykmete Bajrami, sot gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, ka bërë të ditur se deri më tani janë shpenzuar dhe ndarë 245.4 milionë euro në kuadër të përballjes me pandeminë COVID-19.
Gjatë raportimit mbi masat fiskale të ndërmarra gjatë pandemisë, ministrja Bajrami tha se nga këto mjete kanë përfituar rreth 426 mijë përfitues.
“Janë shpenzuar, ndarë dhe alokuar gjithsej 245 milionë euro. Me rishikim të buxhetit, ne kemi ndarë Fondin për rimëkëmbje ekonomike ku kemi inkorporuar të gjitha masat e pazbatuara të Pakos fiskale emergjente, e cila ka përmbajtur në vete një buxhet prej 365 milionë euro. Deri më tani janë ndarë dhe alokuar 245.4 milionë euro. Qeveria e Kosova ka ndërmarr një sërë masash që nga fillimi i pandemisë, duke filluar nga ato të natyrës shëndetësore deri tek masat fiskale mbështetje të institucioneve si dhe atyre që ishin në front të luftës së pandemisë. Sa i përket shpenzimeve të pandemisë përfshirë pakon emergjente gjithsej deri më sot 143.6 milionë euro. Paga dhe shtesa 22.3 milionë euro dhe subvencione e transfere 110 milionë euro”, tha Bajrami.
Sipas ministres Bajrami, në kohën e pandemisë numri të punësuarve ishte rritur për rreth 6 mijë, teksa tha se nuk po pretendohet që kjo Qeveri ka rritur punësimin, mirëpo ajo potencoi se disa ndërmarrje për shkak të mbështetjes nga ana e shtetit kanë filluar t’i deklarojnë punëtorët.
“Ne kemi pasur ulej të numrit të punëtorëve në disa sektorë, por në total del që janë diku rreth 5 deri 6 mijë punëtorë më shumë në korrik se në shtator. Nuk po pretendojmë që kemi rritur punësimin, mirëpo janë plot ndërmarrje, të cilat për shkak të mbështetjes nga ana e shtetit kanë filluar t’i deklarojnë punëtorët e tyre që ndoshta deri në atë moment nuk I kanë pasur të deklaruar”, tha Bajrami.
Ndërsa, anëtari i Komisionit nga PDK Bedri Hamza tha se këto masa janë të vonuara dhe të pamjaftueshme, teksa tha se përtej kësaj janë edhe pa bazë ligjore.
Ish-ministri i Financave votimin e rishikimit të buxhetit ia ka atribuua Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ngase disa prej këtyre masave janë implementuar vetëm pas miratimit të Ligjit të buxhetit të rishikuar.
“Po konstatohet ajo që kemi thënë në vazhdimësi se këto masa janë të vonuara, janë të pamjaftueshme dhe përtej këtyre të dyjave kanë qenë pa bazë të qartë ligjore. Është muaji tetor dhe ende nuk është zbatuar pakoja emergjente. Por, ne duke ditur situatën, e kemi përkrahur rishikimin e buxhetit, sepse e kemi ditur se pa kaluar Ligji për rishikimin e buxhetit, këto pagesa që janë bërë tash s’kishin mund të ndodhin”, tha Hamza.
Ndaj kësaj deklarate të deputetit Hamza ka reaguar kryetari i Komisionit nga Vetëvendosje Hekuran Murati, i cili tha se është e padrejtë të thuhet që është kërkuar rishikimi i buxhetit nga GP i PDK-së, derisa para kësaj, sipas tij PDK-ja ka rrëzuar qeverinë.
Murati tha se ndarje të mjeteve të pa buxhetuara dhe dyfishim të pagave pa asnjë arsye kanë ndodhur në kohën e ish-ministrit Bedri Hamza.
“Është e padrejtë e pa sinqertë të thuhet se është kërkuar të sillet rishikimi, kur në fakt ju s’keni kërkuar rishikim, ju keni rrëzuar qeverinë duke ia lidhur duart asaj qeverie, pastaj duke lënë të menaxhojë aq sa mundet. Sa i përket vendimeve për këto alokime, ne kemi raste të mëhershme që janë ndarë për arsye shumë më pak fisnike sesa për t’iu ndihmuar qytetarëve. Kemi pasur vendimmarrje kur është bërë rritja e pagave, dyfishimi brenda natës pa qenë të buxhetuara në qeverinë Haradinaj kur ju keni qenë ministër”, tha Murati.
Më tej, deputeti Hamza ka kërkuar nga kryetari Murati që ta respektojë Rregulloren e punës së Kuvendit.
“Kryetar, ti diskuto dhe udhëhiqe komisionin sipas rregullores. Unë po i përmbahem kësaj e ti mos ndërhy në çështje që nuk të takojnë si kryetar i komisionit. Ne nuk e kemi rrëzuar qeverinë”, tha ai.
Anëtarja e komisionit Mimoza Kusari-Lila ka thënë se për këto mjete të cilat po i përmend ministrja Hykmete Bajrami nuk janë ndarë nga ligji i miratuar në parim ditë më parë në Kuvend.
Deputetja Kusari-Lila ka pyetur ministren Bajrami për vonesat e ekzekutimit të mjeteve pas miratimit të rishikimit të Buxhetit 2020.
“Pse, zonja ministre, keni pritur tre muaj deri në ditën kur keni marrë këtë vendim dhe nuk janë miratuar këto subvencione për bizneset, duke marrë parasysh se rishikimi i buxhetit ka kaluar gjithashtu në një afat rekord dhe ka pasur forma që keni mund t’i aplikoni që të mos rritet presioni dhe kriza e përgjithshme”, tha ajo.
Zëvendëskryetari i komisionit nga AAK-ja, Gazmend Abrashi dhe anëtari tjetër nga LDK Fatmir Rexhepi kanë përgëzuar Qeverinë Hoti për zbatimin e masave dhe fondit të rimëkëmbjes ekonomike në ekzekutimin e mjeteve për bizneset. /I. Shabani/