Bajrami: Masa për lirimin nga pagesa për studentët ishte nisur nga Qeveria Hoti

E publikuar: 17/09/2021 17:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-ministrja e Financave nga LDK-ja, Hykmete Bajrami, ka thënë se masa për lirimin nga pagesa e semestrit për studentët ishte nisur nga Qeveria e kaluar, ajo e Avdullah Hotit.

Bajrami thotë se nuk janë kundër që studentët të lirohen nga pagesat, edhe pse sipas saj vendimet uniforme nga Qeveria e VV-së lënë shumë për të dëshiruar.

“Masa për lirimin nga pagesa e semestrit që e bëri Qeveria Kurti ishte nisur edhe nga Qeveria e kaluar për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia COVID-19 e cila fatkeqësisht sot është edhe më prezente. Sigurisht, se ne nuk jemi kundër që studentët të lirohen nga pagesa e semestrit edhepse vendimet uniforme për të gjitha shtresat lënë shumë për të dëshiruar (e njëjta ka ndodhur me shtesat e fëmijëve). Mirëpo ajo çka mund të themi është se Qeveria e VV-së nuk po ka kapacitete, ide dhe dije për t’u marrë me veprime të cilat e adresojnë në mënyrë të mirëfilltë reformën në arsim si dhe në fusha tjera”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo tutje ka akuzuar Qeverinë si përgjegjëse për mos-hapjen e afatit të korrikut për regjistrim të studentëve në universitete publike.

“Ne mbajmë përgjegjëse Qeverinë dhe pozitën (që kanë zgjedhur anëtaret e Këshillit të Cilësisë) që për herë të parë në historinë e pasluftës u ka mohuar studentëve afatin e Korrikut për aplikim në universitete publike, rrjedhimisht plot fakultete publike nuk kanë arritur t’i mbushin as gjysmën e vendeve të lira. Kjo është bërë me qëllim që studentët të orientohen të IAL (institucionet e arsimit të lartë) privat gjë që edhe ka ndodhur, kjo bëhet edhe më e padrejtë kur e dimë se studentët në IAL privat nuk marrin asnjë ndihmë nga shteti”, shkroi Bajrami.

Kryeministri Albin Kurti sot njoftoi për vendimin se duke filluar nga 1 tetori, arsimi i lartë do të jetë pa pagesë.