Kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq dhe kryetari i komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri, pohojnë se kanë kontakte të vazhdueshme ndërmjet tyre dhe po punojnë për përmirësimin e situatës dhe uljen e tensioneve, në mënyrë që të krijohet një atmosferë pozitive për zgjidhjen e problemit mbi urën kryesore mbi lumin Ibër.
Mbi këtë urë, tash e 10 muaj është vendosur i ashtuquajturi “Parku i paqes”, i cili po e bllokon lëvizjen e lirë të qytetarëve nga të dyja anët e lumit Ibër.
Por, Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës së veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e urës kryesore mbi lumin Ibër dhe “Parku i paqes”, është politizuar shumë dhe kërkon qasje mjaft të kujdesshme.
“Çështja e ‘Parkut të paqes’ aq shumë është politizuar sa që në momentin kur dikush e përmend urën ose ‘Parkun e paqes’, menjëherë kemi reagime nga të dyja anët, të njerëzve që jetojnë në jug dhe në veri të lumit Ibër”.
“Prandaj, do të ishte mirë që për këtë ‘park’ të mos flitet shumë qoftë nëpër medie apo në nivelet e larta. Duhet lejuar që procesi të ndodhë dhe të arrihet një mirëbesim, para së gjithash, i qytetarëve, i cili është humbur moti, e më pas gjërat mund të zgjidhet në teren shumë më lehtë”, ka theksuar Rakiq.
Në anën tjetër, Agim Bahtiri, kryetar i komunës së Mitrovicës së jugut, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka pohuar se kontaktet me Rakiqin janë të vazhdueshme.
Sipas tij, takime të përbashkëta janë zhvilluar edhe me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe me përfaqësuesit e bashkësisë serbe në institucionet e larta të vendit, në mënyrë që të lehtësohet mundësia e gjetjes së një zgjidhjeje për heqjen e “Parkut të paqes”, por edhe për kthimin e qytetarëve shqiptarë në veri të vendit, në pronat e tyre.
“Ne , të dy kryetarët jemi në kontakt të përhershëm dhe takohemi çdo javë. Ne dëshirojmë që ty kryejmë punët pa ndonjë influencë të madhe të politikës. Unë po shpresoj – kështu kanë marrë vendim edhe BE-ja, por edhe institucionet e Kosovës- që të na lënë neve, të dy kryetarët, që ta heqim atë ‘Park të paqes’. Nuk na duhet asnjë urë e bllokuar, sepse urat bëhen për t’i bashkuar njerëzit dhe për lëvizje të lirë, e jo për t’i bllokuar”,tha Bahtiri.
Ndryshe, Rakiq, ka vlerësuar se gjetja e një zgjidhjeje për lirimin e urës kryesore mbi Ibër do të ishte e mundshme shumë më e shpejtë, sikur, zyrtarë të caktuar të institucioneve të Kosovës, siç tha ai, të mos ‘i frynin zjarrit” edhe më shumë duke e përmendur çdo ditë urën dhe barrikadën.
Kjo sipas tij, nuk ndihmon në arritjen e një atmosfere mirëbesimi ndërmjet qytetarëve shqiptarë dhe serb në këtë qytet. Sipas tij, as plani më i mirë për zgjidhjen e situatës nuk mund të ketë sukses nëse nuk merret parasysh realiteti në terren.
“Çelësi për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që u përkasin komunave të veriut dhe të jugut të Mitrovicës është që gjërat të rrjedhin. Neve na duhet kohë dhe prioritet e kemi ruajtjen e paqes. Do të thotë, duhet që fillimisht t’i ulim tensionet, ta ruajmë paqen dhe të gjitha të tjerat mund të zgjidhen lehtë”,theksoi Rakiq.
Megjithatë, Bahtiri thekson se plagosja e një të riu serb dhe humbja e një të riu shqiptar në lumin Ibër, trupi i pajetë i të cilit tashmë është gjetur, kanë ngritur tensionet.
Sipas tij, ai dhe Rakiq, janë përpjekur që këto incidente të mos politizohen dhe të ulen tensionet. Çështja e lirimit të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe e heqjes së ‘Parkut të paqes”, sipas tij, pritet të zgjidhet shpejtë.
“Unë po shpresoj që shumë shpejt atë urë më nuk do ta kemi të mbyllur dhe do të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë nuk dëshiroj të jap data, por po them, së shpejti”, theksoi Bahtiri.
I ashtuquajturi “Parku i paqes” mbi urën kryesore mbi lumin Ibër, është vendosur me 18 qershor të vitit 2014, vetëm disa orë pas heqjes së barrikadës së mëparshme me rërë dhe gurë, nga ana e autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut.
Institucionet e Kosovës patën reaguar duke thënë se barrikada e mëparshme është zëvendësuar me një të re, por vetëm me pamje tjetër. /rel/