Azem Syla, ish-shef i Shtabit të UÇK-së, nuk është pajtuar me vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila të premten që kaloi e ktheu në paraburgim edhe për dy muaj. Përmes avokatit mbrojtës, ai i është drejtuar Gjykatës Supreme, duke kërkuar që të hidhet ky vendim poshtë, shkruan sot Koha Ditore.
Përveçse është cilësuar vendim me prapavijë politike, Syla pretendon se është e çuditshme se si vendimi i shkallës së dytë ndryshon aq shumë me vendimin e shkallës së parë, e cila fillimisht nuk e mori për bazë kërkesën e Prokurorisë së EULEX-it për kthimin e tij në paraburgim.
Ish-deputeti i PDK-së, sipas Prokurorisë, është duke ndikuar te dëshmitarët e mbrojtur në rastin e ashtuquajtur “Toka”. Në këtë rast, Syla dhe 50 persona të tjerë po hetohen nga EULEX-i për veprat penale: krim të organizuar, shpëlarje parash, keqpërdorim të detyrës zyrtare, falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe dhënie e marrje ryshfeti. Këto vepra, sipas Prokurorisë, lidhen me shpronësime të jashtëligjshme të pronës shoqërore në atë private, me ç`rast ky grup dyshohet të ketë përfituar rreth 30 milionë euro.